Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka njoftuar se brenda pak ditësh nga coronavirusi kanë humbur jetën dy vëllezër.
Aliu ka thënë se vdekja e vëllezërve Bucaliu ka tronditur jo vetëm familjen, por mbarë Ferizajn.
“Lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të dy vëllezërve Bucaliu, ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe mbarë Ferizajn, miqtë e të njohurit e të ndjerëve.
Më lejoni që në emër të qytetarëve ferizajas, familjes së nderuar Bucaliu, t’iu shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e familjarëve të tyre, Agron dhe Adnan Bucaliu”, ka shkruar Aliu.
Më tej, kryetari i Ferizajt ka shkruar se “Ata kaluan në amshim në moshë të re, shumë pak ditë nga njëri-tjetri, për t’u bashkuar përgjithmonë në amshim, e për ta mbajtur të bashkuar fortë , kujtimin e tyre nga familja e shoqëria”.
“Pushofshin në paqen e paskaj e qoftë jetëgjatë kujtimi i tyre. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerëve”, ka thënë ai.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmaur 521 raste të reja me coronavirus.