Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, ka konfirmuar për Ekonomia Online se veç në muajin qershor në kryeqytet janë raportuar 39 raste të dhunës në familje.
Sipas saj, numri i rasteve ka shënuar rritjen në krahasim më vitin e kaluar kur ishin raportuar 17 raste të tilla. Madje Sahiti shton se institucionet duhet të ndërmarrin politika që ta parandalojnë këtë fenomen.
“Kur jemi te rastet e dhunës në familje, fatkeqësisht kemi një trend në rritje nga viti në vit. Tani që po flasim në statistikat e fundit që i posedojmë për këtë vit është shtuar dukshëm numri i rasteve të dhunës në familje. Nëse bëjmë një paralele në krahasim me vitin e kaluar të gjashtëmujorit të parë tani kemi 39 raste që janë raportuar vetëm përgjatë muajit qershor të dhunës në familje që vitin e kaluar e kishim një situatë tjetër; ishin shtatëmbëdhjetë raste të cilat i kishim të paraqitura në Qendrën për Punë Sociale, kështuqë ky është një tregues që me të vërtetë po shtohen rastet e dhunës në familje, është diçka shumë e dhimbshme”.
“Por ne si institucione paralelisht, si institucione të nivelit lokal dhe ato të nivelit qendror duhet të bashkohemi dhe të ndërmarrim politika të cilat tregojnë mirëfilli që duhet ta parandalojnë këtë fenomen”.
Ajo ka përmendur një varg masash që duhet të ndërmerren, duke filluar nga sic ka thënë edukimi i brezave të rinj se dhuna nuk është mjet për të zgjidhur asnjë kontest.
Sipas saj, duhet që të punohet edhe në procesin e trajtimit dhe të rehabilitimit të këtyre viktimave dhe integrimin e tyre në shoqëri përmes trajnimeve, punëtorive, work-shopeve duke i ndihmuar të krijojnë start-upet të vogla.
“… si bëhet kjo, bëhet duke edukuar breza të rinj, duke shkuar në shkolla, duke u treguar fëmijëve tanë se dhuna nuk është mjet për të zgjidhur asnjë kontest që mund të kemi, asnjë telashe që mund ta kemi me dikë. E pastaj të të punojmë edhe në procesin e trajtimit dhe të rehabilitimit të këtyre viktimave e ne në këto komponentë jemi duke mjaftueshëm, e sidomos në komponentet e fundit, prandaj po them që çalojmë në komponentë e parë; në parandalim dhe po punojmë mjaftueshëm si kryeqytet, jemi edhe model në Kosovë duke ofruar këtë ndihmesë financiare për herë të parë për viktimat e dhunës në familje dhe po shohim që këto viktima kanë filluar ta marrin jetën e tyre në duar dhe paralelisht me këtë ne jemi duke synuar që këto gra, këto zonja të cilat kanë pasur dhunë në familje të integrohen në shoqëri përmes trajnimeve, punëtorive, work-shopeve duke i ndihmuar të krijojnë start-upet të vogla”.
Ajo foli për mbështetjen financiare që Komuna e Prishtinës po u jep viktimave të dhunës në familje si dhe bashkëpunimin që kjo komunë ka me organizatat e shoqërisë civile, përcjell Ekonomia Online.
Drejtoresha Sahiti ndër të tjera tha se 305 mijë euro janë ndarë për këto organizata në mënyrë që të ofrohen shërbime sociale direkte në kryeqytet për këto raste.
“Kryeqyteti për herë të parë ka ndarë 305 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë shërbime sociale në kryeqytet, shërbime direkte sociale dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne sepse kemi arritur të mbështesim 36 organizata. Tani jemi në fazën e ankesave ku priten të shqyrtohen edhe të tjera organizata të cilat ankohen meqë e kanë afatin e fundit për t’u ankuar në rast se vlerësojnë se i kanë pasur dokumentet e duhura për të qenë pjesë e thirrjes, për të përfituar nga thirrja jonë publike dhe çka është e rëndësishme të potencojmë është se për herë të parë i kemi nëntë programe të reja të cilat jemi duke i mbështetur si kryeqytet e që fokusin kryesor e kanë tek gratë të cilat kanë pasur dhunë në familje, për t’i mbështetur ato financiarisht, për t’i avancuar ato në kuptimin e profesionit e gjetjes së një profesioni për t’i ndihmuar ato që të pavarësohen në mënyrë që të mos detyrohen që të kthehen tek dhunuesi edhe një herë. Kjo ka qenë primare dhe shumë e rëndësishme edhe në çdo paraqitje që e kemi pasur si drejtori”.
Ajo ka treguar se që nga nëntori i 2022-ës është marrë vendim që viktimat e dhunës në familje të financohen me një pako prej 500 euro për muaj që supozon të përfshijë pagesën e qerasë, të kushteve të jetesës dhe për fëmijë në rast se viktima ka dhe i merr me vete.
“Kryeqyteti në fund të vitit të kaluar, në nëntor të 2022-ës, siç edhe e dini ka marrë një vendim shumë të guximshëm dhe të parin në vend në asamblenë komunale për t’i mbështetur financiarisht viktimat e dhunës në familje në një pako prej 500 euro në muaj. Fatkeqësisht rastet e dhunës po rriten, po rritet edhe raportimi i tyre ndoshta edhe është rritur vetëdija, ky është një tregues që është ngritur vetëdija për mos ta duruar dhunën si mjet të cilin e përdorin njerëzit e ndryshëm fatkeqësisht, dhe ne po i mbështesim financiarisht këto zonja, i kemi deri më tani shtatë gra të cilat i kemi mbështetur dhe jemi vetëm në muajin korrik dhe po shpresoj dhe po uroj shumë që mbështetja jonë do të përfshi sa më shumë gra të cilat kanë pasur dhunë”, tha ajo, raporton EO.
“Ne urojmë që të kemi sa më pak raste, por ne jemi këtu për secilin rast i cili i plotëson kriteret, dhe shumat janë të ndryshme, varësisht nga kërkesat që kanë, sepse janë tre komponentë të ndihmës financiare që ne ofrojmë; është pagesa e qirasë, pagesa e kushteve të jetesës, e poashtu pagesa për fëmijë në rast se gratë kanë fëmijë, një zonjë mund ta ketë një fëmijë apo dy me vete. Në total është një pako prej 500 eurosh”, u shpreh ndër të tjera Sahiti.