Ajo që për shumë vite i ngjante më shumë një monopati se sa një rruge kryeqyteti, falë investimit të Bashkisë së Tiranës, Rr. “Dhimitër Shuteriqi në Njësinë 5 i ka dhënë një pamje krejt tjetër zonës, ndërsa banesave u është rritur vlera.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, inspektuan përfundimin e punimeve, ku siguruan se pavarësisht verës, puna nuk do të ndalojë. “Jam shumë i kënaqur dhe shumë i impresionuar. Një nga gjërat që premtuam me Pandin në takimin e fundit ishte se data 30 qershor për ne nuk ishte fundi i punës, por fillimi i saj. Thamë se do të ishim në terren që në ditët e para të korrikut, teksa një pjesë e banorëve kanë shkuar për pushime, fëmijët kanë mbaruar shkollën, teksa gjimnazistët kanë dhënë provimet e tyre të maturës. Kështu që, jam sot shumë krenar për gjithë skuadrën tonë që ka punuar gjatë gjithë ditëve të verës”, tha Veliaj.
Shtëpitë e ndërtuara kryesisht gjatë tranzicionit, tashmë të legalizuara, kanë marrë një tjetër vlerë, si pasojë e përmirësimit të infrastrukturës. Me mirëkuptimin edhe të komunitetit, janë ulur muret rrethuese dhe janë vendosur kangjellat, sinjalistika horizontale dhe vertikale, rrjet kanalizimesh dhe ndriçim modern LED.
Veliaj theksoi se për Bashkinë e Tiranës fushata është ajo çka ndodh për 4 vite, çdo ditë, me punë konkrete. “E vlerësojmë faktin që edhe pse piku i vapës në ditë të verës, i kemi ndenjur punës te koka dhe në fund të fundit, mbajmë premtimin që dhamë. Ndaj, edhe data 30 qershor është vetëm fillimi me energji të reja i punës dhe jo detyrimisht fundi dhe lënia pas dore e punëve. Për ne fushata është ajo çka ndodh 4 vite përditë; përditë një punë konkrete, që mos të dallojë fare ai 30 ditëshi zyrtar i fushatës, nga 1500 ditët e qeverisjes dhe administratës lokale. Puna konkrete sot ishte “Dhimitër Shuteriqi”, kështu që ta gëzojmë të gjithë”, theksoi ai, ndërsa iu drejtua me një apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë brenda zonave të banuara.
“Thirrja ime për të gjithë qytetarët, sidomos për ata që janë të rinj dhe që u vlon gjaku në timon është: Me qetësi, me ngadalë, jeta, siguria, është e paçmueshme. Kështu që, nuk duam që të gjitha këto investime të kthehen në problematikë për komunitetin”, tha më tej ai.
Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët që të aplikojnë për “Fondin e Komunitetit”, një nismë tepër e suksesshme, e cila ka dhënë rezultate konkrete në shumë lagje të kryeqytetit, duke rritur cilësinë e jetës së banorëve. Veliaj u shpreh se synimi i Bashkisë për këtë mandat është që nga 50 pallate në vit, që përfitojnë nga ky fond, të shkohet në 200 të tillë. “Jam i lumtur gjithashtu që shoh që ashtu siç kemi nisur me Pallatet e Arabit, pallate të tjera kanë filluar me Fondin e Komuniteteve. Ne duam të kalojmë nga një situatë ku kemi pasur 50 pallate në vit, në 200 pallate çdo vit. Do punojmë me buxhetin e ri të këshillit të ri bashkiak, sidomos në zona të tilla, ku puna na është shpërblyer me votë”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se kjo nismë është edhe një përgjigje ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Tiranës për të rikuperuar një pjesë të problematikës së viteve ’90. “Njerëzit na kanë kërkuar të vazhdojmë në këtë drejtim, do të financojmë më shumë pallate, për të rikuperuar një pjesë të problematikës së viteve ’90. Ishin vite ku ndërtohej pa leje, ishin vite ku shtoheshin kate, ishin vite ku pallatet s’mbaronin asnjëherë, ashtu siç ishin në letër, ku garazhet ktheheshin në bilardo, ku shtoheshin kate shtesë. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur, por besoj që me Fondin e Komuniteteve një pjesë e madhe e këtyre problematikave mund të adresohet”, nënvizoi Veliaj.
Deputeti i PS, Pandeli Majko u shpreh se ndryshimi flet vetë, ndërsa theksoi se kjo është edhe fuqia transformuese që ka vota. “Tani këtu gjërat flasin vetë. Vota flet ndonjëherë gjuhën më të qartë se sa ne të politikës. Zona që i ka dhënë vota më shumë në zgjedhjet e fundit kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak. Ky është reflektim i asaj që ka ndodhur këtu. Ka qenë rrugë fshati, dhe tanimë është bërë “Dhimitër Shuteriqi”, deklaroi Majko./Top Channel