Veliaj në Londër, takim me ministrin e ri të Evropës

Prishtinë | 19 Sht 2019 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Kryebashkiaku Erion Veliaj pati një takim me ministrin e ri të Evropës së Britanisë së Madhe, Christopher Pincher, me të cilin diskutoi disa prej nismave me fokus qytetet digjitale.

I ftuar për të folur para një paneli të zgjedhur në London School of Economics (LSE), ndër të tjera, Veliaj tha:

“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që ndava me publikun në Shkollën Ekonomike të Londrës, shkolla më prestigjioze e këtij qyteti, arritjet e Tiranës dhe ato që të gjithë bashkë kemi bërë si komunitet. Ishte një mundësi fantastike jo vetëm për t’i ndarë këto ndryshime me ekspertë të fushës së planifikimit urban dhe menaxhimit të qyteteve, por edhe një mundësi e shkëlqyer për të takuar ministrin e ri të Evropës të Britanisë, i cili na konfirmoi se, edhe pse Britania tashmë ka marrë vendimin për të dalë nga BE-ja, do ta ruajë interesin në Ballkan”, theksoi Veliaj.

Veliaj vlerësoi interesin e vazhduar të Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë dhe theksoi se ashtu si me Shkollën Ekonomike të Londrës, ku Tirana po promovohet si histori suksesi, ky bashkëpunim do të vijojë edhe me qeverinë britanike, sidomos në fushën e digjitalizimit të qyteteve inteligjente.

“Kemi që nga koha e viteve të luftës së ftohtë, ku flitej për rrezikun anglo-amerikan, por jemi sot zyrtarisht një nga popujt më pro-amerikanë, më pro-britanikë, më pro-evropianë, ndaj është një lajm shumë i mirë interesi i vazhduar i Britanisë. Ashtu si me Shkollën Ekonomike të Londrës, ku Tirana po promovohet si histori suksesi, po mundohemi që me qeverinë britanike, të promovojmë kompani të reja (start-up) në fushën e digjitalizimit të qyteteve inteligjente, duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e Londrës. Jemi duke folur edhe me disa agjenci britanike, që qyteti i Tiranës të kthehet në një promotor për të krijuar një ekosistem, por edhe për të financuar start up-et, sidomos në fushën digjitale”, tha Veliaj.

Një prej projektet e Bashkisë së Tiranës është transformimi i Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan. Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se do të shfrytëzohet edhe eksperienca e shkollave britanike për mbështetjen e duhur të të rinjve dhe nismave të tyre për biznes.

“Piramida është një projekt fantastik, por është vetëm fillimi i një shkolle alternative të teknologjisë së informacionit. Pjesa tjetër kërkon financim, që talentet që do dalin nga Piramida apo nga gjithë këto përvoja, siç është eksperienca fantastike e shkollave të shekullit 21 e Këshillit Britanik, të kenë edhe financat e duhura me ata që quhen investitorët ‘engjëj’ ose me mini-kredi, siç mund të jetë Bashkia e Tiranës dhe agjenci të tjera, që të kemi histori suksesi biznesi në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Veliaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme