Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijon vizitën në Holandë, ku bashkë me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe atë të Drejtësisë, Etilda Gjonaj u prit në takim të veçantë nga kryebashkiaku i Roterdamit, Ahmed Aboutaleb.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi te autoritetet holandeze i Shqipërisë europiane dhe reformave që ajo ka ndërmarrë, për të merituar hapjen e bisedimet për anëtarësimin në BE.
“Kemi pasur dy ditë intensive në Holandë edhe të gjithë e dimë se Holanda ka qenë një nga vendet që ka treguar skepticizëm në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë. Patëm një ofensivë komunikimi bashkë me ministrin e Brendshëm dhe ministren e Drejtësisë dhe unë besoj se duhet të funksionojmë si skuadra “Shqipëria”. Këtu nuk ka rëndësi fare qeveri, opozitë, autoritete lokale, qendrore, sepse të gjithë jemi për një qëllim: në qoftë se prezantohemi si një skuadër, ku secili tregon reformat e kryera në qeverisjen qendrore dhe lokale, besoj se kemi një argument shumë të fortë për të kërkuar që edhe Hollanda t’i bashkohet listës të madhe të vendeve që kërkojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Veliaj.
Pas takimeve, ai u shpreh optimist për mbështetjen e propozimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Ishte një moment i mirë për të treguar këtë kartolinë të Shqipërisë, që sigurisht ka halle, probleme dhe sfida, por që po bën në kohë rekord reforma që nuk janë bërë në vite të tëra. Besoj se konfirmimi në bllok që morëm nga dëgjuesit tanë, qoftë në takimet zyrtare apo edhe në takimet akademike e diplomatike, na dëshmon se kemi një kauzë të vërtetë për të mbrojtur, teksa kërkojmë që Shqipëria të fillojë negociatat për Bashkimin Europian. Kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë edhe këtu në Holandë”, shtoi Veliaj.
Në vizitën e tij në Holandë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi edhe një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Mjedisit në “Delft University of Technology”, me të cilët ndau eksperiencën e ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në Tiranë. Kryebashkiaku prezantoi projektet e realizuara gjatë këtij mandati në kryeqytet, si dhe masterplanin e ri të zhvillimit të Tiranës.