Veliu i përgjigjet Abdixhikut: Ju mbani përgjegjësi për mospërfshirjen time në listë!

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 20:32 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas mospërfshirjes së tij në listën zgjedhore të LDK-së, duke thënë se përgjegjësia për këtë vendim bie mbi kreun e partisë dhe strukturat lokale në Podujevë.

Përmes një postimi, Veliu thekson se angazhimi i tij në LDK nuk ka qenë asnjëherë për interesa personale, por për bindje dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve që e kanë mbështetur ndër vite.

“Kam qenë dhe jam pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës jo për interesa personale, por për bindje, punë dhe përgjegjësi ndaj njerëzve që më kanë besuar”, ka shkruar Veliu.

Ai vlerëson se mbyllja e listave zgjedhore e bën të pavërtetë deklarimin për “derë të hapur” brenda partisë, duke e cilësuar atë si formale.

“Listat zgjedhore janë mbyllur. Vendimet janë marrë. Deklarata për ‘derë të hapur’ pas këtij fakti është më tepër formale se sa e vërtetë, nuk e ndryshon realitetin dhe nuk e zëvendëson mungesën time në një garë të ndershme dhe transparente”, ka theksuar ai.

Sipas Veliut, mospërfshirja e tij ka ndodhur pavarësisht kërkesave të anëtarësisë dhe votuesve.

“Përgjegjësinë për mospërfshirjen time në listën e kandidatëve e mbajnë kreu i partisë dhe i emëruari i tij në Podujevë, të cilët në koordinim të plotë, kanë shpërfillur gatishmërinë time dhe kërkesat e mijëra votuesve të shprehura edhe publikisht që të jem pjesë e garës”, ka shkruar ai.

Veliu shton se nuk ka kërkuar favore, por respekt për procesin demokratik brenda partisë.

“Unë nuk kam kërkuar favore. Kam kërkuar respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit. Parimet nuk negociohen dhe dinjiteti nuk është çështje momenti”, ka deklaruar ai.

Veliu paralajmëron se do të vazhdojë të flasë hapur dhe të veprojë me përgjegjësi, duke kërkuar sqarime për opinionin publik lidhur me mospërfshirjen e tij në listë.

“Nëse dera do të ishte vërtetë e hapur, kjo do të reflektohej në vendimmarrje, e jo në deklarata. Qëndrestarët, anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik kërkojnë arsyen pse nuk jam pjesë e listës zgjedhore”, shtoi Veliu.

Të ngjashme