Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka pritur sot në takim një delegacionin të Komitetit për Parandalimin e Torturës – KPT, që është organ i pavarur i specializuar i Këshillit të Evropës, me mandat për implementimin e Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit Çnjerëzor dhe Degradues.
Me këtë rast është biseduar për vizitën monitoruese që delegacioni është duke realizuar në Republikën e Kosovës dhe për rekomandimet e raportit të fundit, progresi që është arritur nga institucionet tona, si dhe hapat që do t’i ndërmarrin me qëllim të forcimit të respektimit të të drejtave të njeriut.
“Respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut, pa dallim, është një prej aspekteve që i kushtoj mjaft rëndësi dhe jam i angazhuar në këtë drejtim brenda kompetencave të mia si Ministër i Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që çdo shkelje e mundshme e zyrtarëve policor do të ndjeket dhe do të ndërmerren masa ashtu siç është paraparë me legjislacionin në fuqi”, theksoi Ministri Veliu.
Ndërsa kryesuesi i delegacionit Mykola Gnatovskyy, theksoi se janë pritur mirë gjatë vizitave në qendrat e ndalimit të policisë në disa qytete të Kosovës dhe se të gjeturat preliminare nga raporti janë kryesisht pozitive por me disa rekomandime për përmirsime në fusha të caktuara.