Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.
Ministri Veliu falënderoi ambasadorin Kosnett për përkrahjen e deritanishme që kanë dhënë ShBA-të në fuqizimin e MPBAP dhe kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ministri Veliu njëkohësisht e njoftoi ambasadorin Kosnett për prioritetet e tij, përfshirë buxhetin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, riorganizimin e punëve të brendshme, rishikimin dhe bashkimin e strategjive, sigurinë publike dhe kredibilitetin e këtij institucioni si më rëndësishmit në Kosovë.
Fokus të veçantë në këtë takim iu dha çështjes së sigurisë në vend dhe vazhdimin e forcimit të kapaciteteve të organeve që janë të ngarkuara me ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Ambasadori Kosnett shprehu urimet e tij për ministrin Veliu në detyrën e tij të re duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunim dhe përkrahje në zhvillimin e Republikës së Kosovës.