Sot janë pajtuar familjet e dy ish-zyrtarëve të PDK-së, Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijaj, që u vranë në Pejë.
Armend Ademaj, vëllau i ish-kandidatit për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se pajtimi është i domosdoshëm.
“Pajtimi është i domosdoshëm” sepse këtë e kërkon e drejta zakonore e popullit tonë, që po e trashëgojmë me shekuj, e që kishim dashur që sot në shekullin XXI mos të jetë, por ta kemi shtetin e së drejtës, ku sundon ligji e jo Kanuni”, ka shkruar Ademaj në Facebook.
Ademaj ka theksuar se për hirë të fëmijëve të Astrit Ademajt dhe të gjithë fëmijëve shqiptarë të ndalet vëllavrasja.
Tutje Ademaj ka falënderuar të gjithë personalitetet dhe individët që janë përpjekur të arrihet ky pajtim.
Ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai i cili publikoi sot momentin kur familja Ademaj dhe Kadrijaj pajtohen mes vete.
Astrit Ademaj, në atë kohë kandidat për kryetar të Pejës nga PDK-ja, u vra më 8 shtator të vitit të kaluar gjatë një konflikti të çastit me zyrtarin e PDK-së, Blerand Kadrijaj, i cili po ashtu mbeti i vrarë. Të pranishëm ishin dhe familjarë të këtij të fundit. Një gjykim do të mbahet për të zbardhur rrethanat e plota.
Postimi i plotë:
“PAJTIMI ËSHTË I DOMOSDOSHËM”
“Pajtimi është i domosdoshëm” sepse këtë e kërkon e drejta zakonore e popullit tonë, që po e trashëgojmë me shekuj, e që kishim dashur që sot në shekullin XXI mos të jetë, por ta kemi shtetin e së drejtës, ku sundon ligji e jo Kanuni!
Tanime siç jeni njoftuar familja jonë Ademaj – sot me 24 mars, e kemi shtrirë dorën e pajtimit, lidhur më tragjedinë e 8 shtatorit 2021, ku humbëm më të dashurin tonë ASTRIT ADEMAJ.
Falenderojmë të gjithë ato personalitete dhe individ të cilët janë përpjekur dhe kanë pasur qëllim të mirë që të arrihet ky pajtim!
Për hirë të fëmijëve të Astritit dhe të gjithë fëmijëve shqiptarë, urojmē që vllavrasja tē ndalet një herë e përgjithmonë!