Vëllaznimi ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 61:73 (18:17, 20:20, 11:16, 12:20), në kuadër të javës së gjashtë të Prince Caffe Superligës.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar dhe këtë e dëshmon edhe rezultati i kësaj pjesë 18:17.
Edhe perioda e dytë ishte tërësisht e barabartë me të dy skuadrat që nuk arrinin të shkëputeshin në rezultat. Kjo pjesë përfundon 20:20, derisa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 38:37.
Por, në periodën e tretë, skuadra mysafire ishte më e mirë, duke e fituar këtë pjesë 11:16, madje, edhe më bindëse ishin në 10 minutat e fundit, ku fitoi 12:20, për të triumfuar në fund 61:73.
Te Sigal Prishtina u dalluan Fisnik Rugova me 16 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime, Daniel Lerndreaj me 11 pikë e 11 kërcime dhe Arian Qallaku me 13 pikë, kurse te Vëllaznimi më të mirët ishin Devante Jackson me 18 pikë e tetë kërcime, Cedric Council me 14 pikë e 11 kërcime, Christopher Hortman me 10 pikë, 10 kërcime e 10 asistime dhe Robert Shestani me 11 pikë, pesë kërcime e tetë asistime.
Të dy skuadrat kanë nga dy fitore dhe katër humbje.