Rreth katër vjet më parë Behar e Visar Kaçiu kishin vendosur që të merreshin me një sport luftarak, përkatësisht me kikboks. Por në Jena të Gjermanisë, ku vëllezërit kosovarë jetojnë, nuk kishte ndonjë klub të hairit të kikboksit.
Në atë kohë shoku i Beharit e Visarit, rusi Slava, u propozoi atyre që të nisin stërvitjet në një sport tjetër luftarak, shkruan sot Koha Ditore. U propozoi stërvitje në sportin Sambo, që është fare pak i njohur ndër shqiptarë. I tillë ishte edhe për vëllezërit Kaçiu.
Sambo njihet si art marcial sovjetik dhe si sport luftarak sovjetik. Sambo është akronim për “Samozashita Bez Oruzhiya” që nga rusishtja përkthehet si vetëmbrojtje pa armë. Njihet si disiplinë moderne, pasi ka nisur të zhvillohet në vitet 1920 nga Armata e Kuqe Sovjetike.
Zhvillimi i kësaj disipline nisi për të ngritur aftësitë e luftës dorë më dorë të ushtarëve të atëhershëm. Qëllimi ishte që Sambo të ishte bashkim i teknikave më efektive të arteve marciale.