Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të jenë në mesin e drejtuesve të ekonomive të mëdha të G20-ës që pritet të marrin pjesë në një samit përmes video-lidhjes të organizuar nga Arabia Saudite.
Biseda mes krerëve të shteteve më të fuqishme të botës, vjen ndërsa ekonomitë botërore përpiqen të frenojnë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Videokonferenca do të kryesohet nga Mbreti Saudit Salman, i cili është i përfshirë në një luftë çmimesh në tregun e energjisë me Rusinë, pasi të dyja palët nuk arritën marrëveshje për shkurtimet e prodhimit.
“Ndërsa bota përballet me pandeminë COVID-19 dhe sfidat ndaj sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe ekonomisë globale, ne thërrasim këtë samit të jashtëzakonshëm të G20-ës për të bashkuar përpjekjet drejt një reagimi global”, tha mbreti saudit.
Riadi mban presidencën e rradhës të G20-ës.
Kritikët kanë akuzuar G20 se janë shumë të ngadaltë për t’iu përgjigjur krizës së koronavirusit.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën ka pasur më shumë se 470,000 raste të infeksioneve, me më shumë se 21,000 vdekje.
Drejtuesit e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) gjithashtu do të marrin pjesë në videokonferencë.