Në Hamburg vazhdojnë arrestimet për shkak të protestave të dhunshme

Prishtinë | 08 Kor 2017 | 11:27 | Nga

Policia gjermane ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i dëbuar demonstruesit në rrugën “Shultenbat” në Hamburg, ku mbajtja e protestave të dhunshme kundër takimit të G-20 mund t’i vështirësojnë bisedimet e liderëve botërorë.

Policia sot në mëngjes kumtoi se vetëm në një ndërtesë janë arrestuar 13 persona, ndërsa situata në lagjen “Shancenfirtell” ku mbahen protestat po qetësohet. Deri më tani janë arrestuar mbi 100 pjesëmarrës në protesta, transmeton PortAlb.

Në incizimet televizive vërehet si policët hyjnë në ndërtesa, ndërsa në qiell qarkullojnë helikopterë. Për largimin e barrikadave, të vendosura nga demonstruesit, janë përdorur transporterë. Policia konfirmoi se ishte sulmuar nga demonstruesit e armatosur me “koktej molotov”, shufra metalike dhe gurë, ndërsa rreth 500 persona kanë thyer dritare të dyqaneve dhe kanë vjedhur supermarkete dhe dyqane më të vogla.

Zëdhënësi i policisë, Timo Cill deklaroi se është tronditur nga dhuna, e cila ka filluar të enjten.

“Asnjëherë nuk jemi përballur me po kaq nivel të urrejtjes dhe dhunës”, theksoi Cill.

Policia lokale ka kërkuar përforcim prej mbi 900 policë nga qytetet tjera të Gjermanisë, me qëllim që ta qetësojë situatën në Hamburg.

Në trazirat janë lënduar 197 policë dhe dhjetëra demonstrues. Sipas shërbimit të zjarrfikësve, rreth 60 civilë janë dërguar në spital.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i dënoi protestat e dhunshme dhe lëvizjen e demonstruesve, duke theksuar se është “e papranueshme të rrezikohet jeta e njerëzve”.

Gjatë ditës së sotme, dita e fundit e takimit të G-20, pritet rreth 100.000 njerëz të përfshihen në protesta, të cilët janë organizuar në njërin prej shesheve të Hamburgut. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme