Rangimin e Kosovës në vendin e parë si vendi më i sigurtë në Evropë dhe i treti në botë, po konsiderohet sukses i institucioneve të sigurisë por edhe i mungesës së grupeve kriminale të organizuara.
Mentor Vrajolli nga Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në një intervistë për Ekonomia Online foli për sigurinë edhe për katër komunat e veriut të Kosovës.
“Kosova në njëfarë forme nuk ka pasur një sfidë të madhe sa i përket sektorit të sigurisë, jo e gjithë Kosova është e sigurt ngase pjesa më e madhe e Kosovës është jashtëzakonisht e sigurt, por edhe pjesa veriore kryesisht incidentet e pasigurisë janë shkaktuar nga grupet e ndryshme që kanë pasur për qëllim destabilizimin, por në përgjithësi Kosova qëndron jashtëzakonisht mirë sa i përket dhunës, kjo falë institucioneve dhe rendit të ligjit, por edhe për shkak të kulturës që ekziston në vend. Kjo krijon një siguri për shkak se nuk ke individë që mund të jenë të panjohur për shoqërinë të cilët mund të kryejnë krime të caktuara. Mund të jepet një argument edhe fakti që Kosova nuk është vend që ka të huaj që mbase për arsye ekzistenciale mund të shkaktojnë incidente të ndryshme, në përgjithësi është jashtëzakonisht vend i sigurt. Shpresoj që kjo siguri të vazhdojë ende”, deklaroi Vrajolli për EO.
Vrajolli këtu ka duartrokitur Kosovën në raport me atë se nuk kanë ndonjë dhunë politike apo dhunë etnike e cila do të rriste pasigurinë.
“Kosova ka disa indikatorë të cilët e bëjnë të jetë, shoqëria e sigurt, fakti që Kosova është vend i vogël ku është një komunitet i bashkuar dhe kjo krijon vështirësi për individë të caktuar për të shfaqur sjellje të dhunshme. Kosova nuk është vend aq i prekur nga grupet kriminale, mbase në nivel të shoqërisë është jashtëzakonisht e vështirë të vërehen ato. Sa i përket ndjenjës së sigurisë, mendoj që Kosova është jashtëzakonisht mirë, nuk ka pasur as ndonjë dhunë politike apo dhunë etnike që do ta rriste këtë pasiguri. Kur nuk ka dhunë, meritat më të mëdha u takojnë qytetarëve të vendit. Pa siguri vëmë gishtin te institucionet, por edhe në këtë rast një kredit duhet t’u japim edhe institucioneve për faktin që Kosova në këtë renditje është me renome jashtëzakonisht të gjerë, është dëshmuar që institucionet e kanë kryer mirë. Mendoj që ka hapësirë për të përmirësuar sigurinë publike. Kosova është vend që ia vlen të jetohet”, theksoi Vrajolli.
Pavarësisht renditjes së lartë për siguri, Vrajolli shtoi se Kosova ende ka nevojë për rritje të llogaridhënies dhe përmirësim të qeverisjes, veçanërisht në institucionet e rendit dhe ligjit.
“Ka hapësirë për rritjen e llogaridhënies së institucioneve, Kosova ka nevojë të përmirësojë në përgjithësi qeverisjen e mirë që të ketë një llogaridhënie më të madhe sa i përket institucioneve të rendit dhe të ligjit. Në nivelin ku këto dukuri të mos jenë prezente, është vështirë të vihen, ajo çka është me rëndësi, po i korrim disa fruta me këtë rezultat. Policia, me gjithë problemet që ka, nuk është pika më e dobët e sundimit të ligjit në vend, dobësitë më të mëdha deri më tani janë vërejtur nga gjyqësori, për faktin që deri më tani nuk ka arritur të dëshmojë një profesionalizëm. Ulja e këtij ndikimi të personave të fortë në gjyqësor do ta përmirësonte tutje sigurinë në vend”, shtoi ai.
Raporti vë në pah se Kosova ka arritur rezultat 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë) si tre vendet më të sigurta në botë.
