Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) reagojnë ndaj paralajmërimit të Kryeministrit për dhënien e shtesave financiare për prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës si kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe ndaj një praktike të tillë të vendimeve të Qeverisë.
Një vendim eventual i Qeverisë lidhur më këtë, është një praktikë e rrezikshme dhe paraqet ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Çohu! dhe GLPS konsiderojnë se Vendimi për shtesat e tilla është ndërhyrje në pavarësinë financiare të Prokurorisë Speciale dhe shpreh haptazi konceptin klientelesk të trajtimit të sektorit të drejtësisë nga ana e Qeverisë. Të marrësh një vendim të tillë në Javën Kundër Korrupsionit është përveçse një precedent i rrezikshëm, është gjithashtu i dëmshëm për vet sistemin prokurorial. Bazuar në legjislacionin në fuqi, Kuvendi është ai që disponon kompetencën për përcaktimin e niveleve të financimit në sistemin prokurorial dhe atë, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial, e jo Qeverisë. Çdo ndërhyrje në këtë qark vendimmarrës, aq më tepër përmes një vendimi qeverie, e jo ligji për buxhetin, përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të pavarur prokurorial dhe është një koncept klientelesk i trajtimit të prokurorëve.
Gjithashtu sipas Opinionit nr. 18 (para. 51) të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian (CCJE), vendimet qeveritare për rritje pagash konsiderohen ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Organizata Çohu! dhe GLPS përmes këtij reagimi kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të ndalë precedentët e tilla. Njëjtë si një vendim eventual për shtesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjithashtu ai (vendimi) për pagat, janë veprime të paplanifikuara dhe pa asnjë analizë financiare e funksionale paraprake. Një Qeveri që i përkushtohet rendit e ligjit ofron shembuj të rritjes së transparencës, nënshtrimit të plotë ndaj pavarësisë së sistemit të drejtësisë, krijimit të infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe ofrimit të kushteve për parandalim të çfarëdo ndërhyrjeje politike në këtë të fundit.
Bazuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian (raporti për vendin), sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht në mënyrë sistematike, për vite me radhë. Vendimi eventual i sotshëm, veçse konsiderohet vazhdim i një logjike të tillë.
Përmes këtij reagimi, Çohu! dhe GLPS gjithashtu kërkojnë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) që të reagojnë ndaj vendimeve të tilla, e të mos shndërrohen në organe të dëgjueshme ndaj Qeverisë dhe parimeve të dëmshme për pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
KPK dhe KGjK bartin mandat kushtetues të garantimit të pavarësisë funksionale e institucionale të sistemit gjyqësor e prokurorial, e jo të përfaqësimit të interesave që në thelb duken të jenë të lidhura me rritje pagash. Një degradim të tillë nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës të cilët shprehin një nivel të lartë të pakënaqësisë me mënyrën si funksionon sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Për fund, Organizata Çohu dhe GLPS rikujtojnë që përkundër vendimit për rritje pagash për sektorin e drejtësisë nga Qeveria e Kosovës ende nuk ka prodhuar asnjë efekt të qëndrueshëm në performancën, efektivitetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Pra përkundër rritjes së pagave të prokurorëve dhe gjykatësve, në sistemin e drejtësisë ende nuk kemi rezultate, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prandaj, për vendime të tilla Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jetë e kujdesshme, ta ruaj dhe respektojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, dispozitat ligjore dhe kushtetuese në fuqi e gjithashtu, të respektojë pritjet e Raportit të Progresit, duke ushtruar kështu vendimmarrjen për to në përputhje me dispozitat ligjore e kushtetuese, si dhe kërkesat dhe rekomandimet e organizatave vendore të shoqërisë civile që funksionojnë në këtë fushë dhe atyre ndërkombëtare.