Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Delegacioni për Dialogun Kosovë-Serbi është antikushtetues, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj si kryenegociator ka thënë se pas konsultimeve me partitë e koalicionit do të japin qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se do të dëgjoj propozimet e tyre se si mendojnë të vazhdohet tutje, duke paralajmëruar edhe një vendim të NISMA-s pas këtyre bisedave, varësisht nga rezultati i diskutimeve.
“Respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese me opinionin lidhur me Ligji për Kompetencat e Delegacionit të Dialogut. Gjithashtu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka pasur zhvillime të reja, përfaqësuesit e opozitës, PSD-së, z. Ahmeti dhe anëtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e delegacionit kanë ofruar dorëheqjen. Gjykata Kushtetuese e ka analizuar tekstin e ligjit ndërsa delegacioni është krijuar me vendim të Parlamentit si i amandamentuar politikisht për të dialoguar me Serbinë. Unë do të shfrytëzoj rastin t’i ftoj partnerët e koalicionit të bisedojmë për këto zhvillime. Dua t’i dëgjoj partnerët e koalicionit si i shohin hapat e mëtutjeshëm pastaj natyrisht si Nismë dhe unë do të marrim qëndrimin e duhur”, ka thënë Limaj në konferencë për medie.
“… Kosova nuk e ka një delegacion si e ka pasur. Kemi bë përpjekje të jashtëzakonshme që në bisedime me Serbinë të mos na kthehet historia e të kaluarës. Çështja e negocimit nuk është çështje ligjore, por politike dhe aktorët politikë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe për të mbyllë temat e hapura me Serbinë”, tha ai.
Sipas tij, pa një konsensus të gjerë politik mes partive politike të Kosovës nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë.
“Për mua shqetësimi kryesor është si të mos e dëmtojmë procesin e vendit tonë. Unë një gjë e di që sikur sot është pozita dhe opozita gjithmonë do kemi nevojë për të pasur konsensus të gjerë politik. Pa konsensus nuk mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë. Apeli im është për të gjitha partitë, është momenti kur bisedohet, të hiqemi nga kalkulimet individuale. Na e mbytën këtë vend nga kalkulimet individuale. Ti lëmë anash kalkulimet individuale dhe të bashkoheni ta arrijmë një marrëveshje sa më të mirë vendit tonë. Përplasjet e Kryeministrit dhe Presidentit, e shohim sa është e nevojshme të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë. Nëse nuk gjejmë zgjidhje pastaj çdo opsion është i hapur”, ka thënë Limaj, raporton EO.