Vendimi i NATO-s: Sulmet ndaj ushtrisë serbe nisën pas dështimit të marrëveshjes politike

Prishtinë | 24 Mar 2019 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Pak fjalë kishte për të thënë gjenerali amerikan Wesley Clarke natën e 23 marsit 1999.

Ai shihet këtu duke u larguar nga selia e NATO-së derisa kishte për të detyrë të iniciojë urdhrin e dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së në atë kohë, Javier Solana, për të nisur sulmet ajrore ndaj ushtrisë serbe.

“Përpjekja e fundit diplomatike e ambasadorit Holbrooke në Beograd nuk ka qenë e suksesshme. Të gjitha përpjekjet për të arritur zgjidhje përmes negociatave politike në krizën në Kosovë, kanë dështuar dhe nuk ka mbetur mundësi tjetër e hapur, pos të ndërmarrim aksion ushtarak”, kishte thënë Solana.

Më shumë se 400 aeroplanë të aleatëve dhe shumë anije që bartnin dhjetëra raketa ishin në dispozicion të Aleancës më të madhe ushtarake për të nisur sulmet në Kosovë.

Solana kishte thënë se sulmi do të drejtohet në ushtrinë serbe dhe forcat speciale të tyre, për të provuar që t’i dobësojë ata dhe të ndalë sulmet ndaj shqiptarëve.

Kjo, sipas tij, ishte mundësia e vetme për të parandaluar tragjedi humanitare në Kosovë.

Aeroplanët e parë të NATO-s nisen sulmin rreth orës 20 të 24 marsit 1999 – ajo që nga shumica u pa si ditë shpëtimi nga krimet e Serbisë.

Por, fatkeqësisht, gjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore, popullata civile që mbeti në Kosovë, pësoi rëndë.

Dhjetëra masakra mbi civilë, përfshirë fëmijë, pleq e gra, u kryen nga serbët gjatë kësaj kohe, si shenjë hakmarrjeje për sulmet e NATO-s.

Bombardimet e NATO-s përfunduan me arritjen e Marrëveshjes së Kumanovës, që u nënshkrua më 9 qershor 1999, e që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e misionit paqeruajtës ndërkombëtar.

https://video.gjirafa.com/vendimi-i-nato-s-sulmet-ndaj-ushtrise-serbe-nisen-pas-deshtimit-te-marreveshjes-politike

Të ngjashme