Vendorët para testit të parë ndërkombëtar

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mullaomeroviq beson në atë që ka. E kësaj radhe ka vetëm lojtarë vendorë në përbërje dhe me ta synon rezultat pozitiv kundër Rumanisë.

Kosova përballet me Rumaninë në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021” dhe në përbërje nuk do ta ketë asnjë amerikan të natyralizuar, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo është hera e parë në ndeshje zyrtare, që Kosova paraqitet pa lojtarë të natyralizuar. Deri më tash, të natyralizuarit bashkë me Dardan Berishën kanë pasur fjalën kryesore në çdo ndeshje gati.

Ndeshja Rumani – Kosovë zhvillohet të enjten (sot) në qytetin Oradea dhe nis në orën 17:00. Ndeshja i takon Grupit B parakualifikues, të cilit i prin Maqedonia me katër pikë pas fitoreve ndaj Kosovës e Rumanisë, që renditen në pozitat dy e tre me nga një pikë.

Përfaqësuesja e Kosovës të mërkurën ka udhëtuar drejt qytetit rumun ku do të zhvillohet ndeshja, pas disa ditëve qëndrim në Debrecen të Hungarisë, ku zhvilloi fazën përgatitore.

“Pa asnjë amerikan në përbërje do të jetë shumë vështirë, por do të japim gjithçka nga vetja për një paraqitje të mirë. Do të luftojmë deri në fund me lojtarët vendorë, që i kemi në dispozicion dhe pres prej tyre të dëshmojnë vlerat që kanë”, ka thënë trajneri Mullaomeroviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme