Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që nesër në ora 11:00 të mbahet seanca për votimin e Qeverisë Hoti, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, pas mbledhjes ka thënë se i kanë votat për Qeverinë e re.
Gashi ka komentuar edhe deklaratën e deputeti të Nismës, Haxhi Shala, se ai nuk do ta votojë Qeverinë. Sipas tij, këto janë çështje të Nismës.
“I kemi votat, të gjitha marrëveshjet janë përmbyllur, pyetni zotin Limaj për këtë çështje sepse nuk është e jona, dhe nuk e kemi atë problem e as nuk merremi”.
“Ka seancë dhe ne jemi të sigurt që e kemi thirrë, e cila është nesër në ora 11:00. Secili deputet mbi bazën e vet të bindjeve do të votojë”, u shpreh Gashi.
Ai tha se mbetet në vullnetin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani nëse do që ta ushtrojë këtë pozitë.
“… nuk e di, është çështje procedurale dhe zonja Osmani vendosë nëse do me udhëheqë apo jo”.
Me asnjë deputetë të PDK-së, nuk është biseduar për votimin e Qeverisë, ka sqaruar ai.
“Ne nuk kemi biseduar me asnjë deputet të PDK-së sepse ata janë deklaruar që të qëndrojnë në opozitë. Ne jemi të bindur që nuk dështon dhe nesër kemi Qeveri”.
“Normalisht që është parti serioze dhe do të jetë faktori kryesor në këtë proces”, ka thënë Gashi.
Përderisa Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit për mandatarin, që i dha dritën e gjelbër formimit të Qeverisë së re.