Mijëra banorë të Venecias kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër vërshimeve të shpeshta dhe ndikimin e anijeve të mëdha që ndalen në portin e qytetit të famshëm.
Ndonëse binte shi i madh, rreth dy deri tre mijë persona iu përgjigjën thirrjes së grupeve për mbrojtjen e mjedisit për t’i kundërshtuar këto anije. Analistët thonë se valët që shkaktohen nga lundrimi i anijeve të mëdha po i gërryejnë themelet e qytetit.
Duke brohoritur “Venecia, qëndro” dhe duke e kërkuar dorëheqjen e kryetarit Luigi Brugnaro, protestuesit gjithashtu kërkuan që një projekt i madh për mbrojtjen e qytetit të ndërpritet.
Projekti multi-milionësh për mbrojtjen e qytetit nga vërshimet kishte filluar në vitin 2003, por është përcjellë me shpenzime të mëdha, vonesa dhe skandale të korrupsionit.
Kjo protestë u mbajt pas vërshimeve të mëdha që e shkatërruan qytetin, përfshirë disa objekte kulturore dhe biznese. Aktivisti Enrico Palazzi tha: “Venecianët e kanë pësuar një plagë të thellë. Vërshimet e rrëzuan në gjunjë qytetin dhe treguan brishtësinë para botës”.
Ndryshe, Venecia është në listën e qyteteve të mbrojtura nga UNESCO-ja. Në të jetojnë 50 mijë njerëz, ndërsa vizitohet nga rreth 36 milionë turistë në vit, shkruan “The Guardian”.