(NYT) – Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, e ka luftuar koronavirusin pak a shumë si çdo kërcënim tjetër të brendshëm, me të cilin është përballur: duke e vendosur aparatin e tij represiv të sigurisë kundër saj.
Zyrtarët në Qeverinë e Venezuelës janë duke i kategorizuar personat që mund të jenë vënë në kontakt me koronavirusin si “bioterroristë” dhe i kanë nxitur fqinjët që t’i raportojnë ata. Qeveria është duke i burgosur dhe frikësuar mjekët dhe ekspertët, të cilët i vënë në pikëpyetje politikat e Maduros ndaj virusit. Dhe është duke i grumbulluar me mijëra venezuelas, të cilët po kthehen në atdhe pasi i kanë humbur vendet e tyre të punës jashtë, duke i mbajtur ata nëpër qendra të improvizuara të kontrollimit nga frika se mund të jenë të infektuar.
Në hotelet e sekuestruara, shkollat jashtë përdorimit dhe stacionet e rrethuara të autobusëve, venezuelasit e kthyer po detyrohen të mbyllen nëpër dhoma me ushqime, ujë apo maska të kufizuara ndërsa po mbahen nën vëzhgimin e ushtrisë për javë apo muaj të tërë në mënyrë që t’u bëhen testet apo të trajtohen me ilaçe të pakonfirmuara, kanë bërë të ditur të burgosurit e intervistuar. Pretendimet e tyre mbështeten edhe nga videot që ata kanë bërë nëpërmjet telefonave celularë, por edhe nga dokumentet qeveritare.
“Na kanë thënë se jemi të kontaminuar, se jemi fajtorë për infektimin e shtetit”, ka thënë Javier Aristizabal, një infermier nga kryeqyteti Karakas, i cili ka thënë të ketë kaluar 70 ditë në këto qendra, pasi të jetë kthyer nga Kolumbia në mars.
Infektimi si krim
Në qytetin San Cristobal, aktivistë të partisë qeverisëse janë duke i shënjuar shtëpitë e familjeve të dyshuara si të prekura nga virusi me stema dhe po i kërcënojnë ata me burgim, kanë thënë banorët. Në qytetin tjetër Maracaibo, policia patrullon rrugëve në kërkim të venezuelasve, të cilët hyjnë në vend pa miratim zyrtar.
Politikanët lokalë opozitarë thonë se janë kërcënuar me persekutim pasi që i kanë regjistruar rastet. “Ky është i vetmi vend në botë, ku COVID-19 është krim”, ka thënë Sergio Hidalgo, një aktivist opozitar.
Ai kishte thënë të ketë shfaqur simptoma të sëmundjes dhe menjëherë pas kësaj, policia iu shfaq në derë të shtëpisë dhe zyrtarët qeveritarë e akuzuan për infektimin e komunitetit.
Teksa pandemia ka rrënuar vendet fqinje, duke i stërngarkuar rrjetet e përkujdesjes shëndetësore të sistemeve dukshëm më të përgatitura se ato të kolapsuarat në Venezuelë, Maduroja adoptoi qasje të sertë, për ta trajtuar koronavirusin si një kërcënim për sigurinë kombëtare që mund ta destabilizojë vendin e tij të falimentuar dhe ta rrezikojë pushtetin e tij.
“Pandemia qartazi paraqet një kërcënim për Qeverinë, pasi që e demonstron pasigurinë e resurseve të saj”, ka thënë John Magdaleno, ekspert venezuelas i shkencave politike. “Prioriteti nuk është trajtimi i pandemisë. Është mbijetesa politike afatshkurtër”.