Po shkel Kosovën pas njëzet e një vjetësh nga vizita e parë. Në tetor të vitit 1999, fëmijë fytyrëqeshur gjithandej vendit do të kishin mundësi të dëgjonin me violinë një virtuoz që vetëm i mrekullonte, shkruan sot Koha Ditore.
Pak e dinin se ai ishte violonisti më i madh në botë, Maxim Alexandrovich Vengerov. Me prejardhje hebraike, ai ka lindur më 1974 në një cep të tejlargët të Siberisë, në qytetin e Novosibirskit, aty ku gjithçka ngrin nga temperaturat e ulëta. Fëmija që i kishte marrë mësimet e para në violinë nga Galina Turchaninova do të shkëlqente me dhuntinë e vet në gara e festivale në Poloni.
Si trembëdhjetëvjeçar që kishte filluar studimet në Akademinë Mbretërore të Muzikës në Londër, fitimi i një çmimi në “International Carl Flesch Competition” në Londër do të ishte prologu i sukseseve të njëpasnjëshme në vitet në vijim.
Më 2003, Vangerov fitoi “Grammy Award” për performancën më të mirë si instrumentist solo, njësoj siç kishte fituar dy herë “Gramophone Classical Music Awards” (1994 dhe 1995), “Classic Brit Award” (2004), pesë herë “Edison Classical Music Awards” (1995, 1996, 1998, 2003 dhe 2004), dy herë “Echo Music Prizes” (1997, 2003) dhe “World Economic Forum Crystal award” (2007). Por kjo nuk është ana e vetme e muzikantit të madh që me “Stradivarius” të 1727-s, në të cilën luan, bëri nam në skenat më elitare.
Me krejt këto, ka kohë që e ka marrë epitetin e “një prej violinistëve më briliantë që mund të dëgjoni”, siç do ta quante “Washington Post”. Në shtator të vitit 1997, ai u bë i pari muzikant klasik që u emërua si ambasador ndërkombëtar i vullnetit të mirë nga UNICEF-i.