Vera e nxehtë solli verë të mirë, thonë rahovecianët

Prishtinë | 30 Gus 2024 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Moti i nxehtë ka ndryshuar në mënyrë drastike vjeljen e rrushit në Ballkan këtë vit. Prodhuesit janë detyruar të mbledhin rrush më herët se sa kujtohet. Disa të korra do të jenë në sasi më të vogla, por cilësia do të jetë më e mirë, thanë prodhuesit.

Në rajonin lindor Ilok të Kroacisë, fenerët e makinave të vjeljes së rrushit depërtojnë nëpër korsitë e errëta midis hardhive. Prodhuesit e verës kanë filluar të mbledhin natën sepse rrushi fillon të fermentohet shumë shpejt kur mblidhet në vapën e ditës, raporton Reuters.

“Më mirë të vilen natën, sepse nuk është aq vapë”, tha Darko Sili, shofer makinerie.

Vjelja e këtij viti do të jetë gati një muaj më herët se zakonisht dhe mund të jetë deri në 30% më e vogël në sasi për shkak të vapës, tha Vesna Shtajner, zëdhënëse e kantinës së verës “Ilocki Podrumi”.

Në Kosovë, vjelja filloi në gusht, gjithashtu një muaj më herët se vitin e kaluar. Pronarët thanë se e patën të vështirë të gjenin vjelës kaq herët në sezon.

Dhjetëra punëtorë u mblodhën në agim në vreshtin e kantinës “Stone Castle” afër qytetit jugor të Rahovecit.

“Stërgjyshërit tanë nuk mund të kujtojnë që rrushi të jetë vjelë kaq herët”, tha Nebi Duraj, koordinator i prodhimit të rrushit në “Stone Castle”.

Megjithatë, thuhet se ka një avantazh. “Është si të hahet sheqer”, tha një punëtor rreth të 60-tave ndërsa mbushte gojën me rrush të bardhë.

Duraj tha se cilësia e verës do të ishte më e mirë se kurrë këtë vit për shkak të ëmbëlsisë, e cila kthehet në alkool.

“Kur të kërkoni verë në vitet e ardhshme, kërkoni për vjeljen e vitit 2024”.

Edhe në Serbi, sikurse në pjesën tjetër të Ballkanit, vera shënoi rekorde për kah nxehtësia me temperatura që tejkaluan 40 gradë Celsius.

Për dallim nga vreshtarët ballkanikë që thonë se mund të jenë fitues të rrallë sepse moti i nxehtë ka rritur përmbajtjen e sheqerit në rrushin e tyre, misri, soja, luledielli dhe disa perime mund të shkatërrohen, thanë fermerët.

Në Bosnjën fqinje, thatësira mund të përgjysmojë rendimentin e misrit në 4,5-5 ton për hektar, tha Dragan Mandiq, ekspert në Institutin Bujqësor të Republikës Serbe të Bosnjës.

Të ngjashme