Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar paraqitjen shtetërore të pesë kompanive të verës në Panairin ndërkombëtar tregtar të verës “ProWein 2018”, që po mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë, transmeton Ekonomia Online.
Në këtë paraqitje shtetërore, me brendin e njohur globalisht “Kosovo Ready For You”, produktet e tyre po i promovojnë: “N.P.T. Haxhijaha Sh.p.k”, “Stone Castle Vineyard& Winery L.L.C”, “Biopak Sh.p.k”, “Kosova Wine Sh.p.k ”, “Suhareka Verari Sh.p.k”.
Sipas një komunikate për medie nga MTI, në shtandin e Kosovës blerës, distributorë dhe agjentë shitjesh nga anembanë bota po njoftohen nga afër me produktet e kompanive kosovare dhe njëherësh po degustojnë verërat kosovare.
“Ky panair është një mundësi e mirë për kompanitë kosovare të njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare në fushën e verarisë dhe të lidhin marrëveshje eksporti me blerës, distributorë dhe agjentë shitjesh ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatë.
Panairi “ProWein” njihet si një ndër panairet më të mëdha për verëra në të cilin ekspozojnë kompani nga shumë shtete të botës.
Panairi “ProWein2018” është i hapur nga data 18 – 20 mars 2018. Shtandin e Kosovës mund ta vizitoni në Hall 15 / K03.