Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur Konferencën e Tetë Vjetore me temën: ‘’Për një gjyqësor të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës’’.
Aty u tha se gjyqësori në Kosovë ende po përballet me sfida, megjithatë u përmenden shume progrese që janë arritur.
Si hap i rëndësishëm u theksua rritja e zgjidhjes së numrit të lëndëve, e krejt kjo si shkak i rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi ka përmendur veriun e Kosovës, ku sipas tij atje ende ka probleme në shtrirjen e plotë të drejtësisë në veri të Mitrovicës, ku përballen me probleme si mangësia e stafit dhe çështja e përkthimit të lëndëve.
“ Përgëzojë punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm të gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor ka të përcaktuara prioritetet e veta për gjyqësorin. Këto prioritet përfshinë, përmirësimin e efikasitetet në zhvillimin e lëndëve, përmirësimin dhe funksionim i gjykatave , rritja e transparencës dhe llogaridhënies. Mund të them se ky vit ka qenë intensiv dhe sfidues për ne. Ne vazhdimisht jemi ankuar se nuk kemi numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe këtë prioritet e kemi vu përpara vetit si prioritet dhe e kemi përmbushur duke e rritur numrin e gjyqtarëve”, tha Idrizi, raporton Ekonomia Online.
“Kemi marrë hapa për të rritur numrin e gjyqtarëve, një numër prej 52 gjyqtarëve kanë nisur punën. Në integrimin e gjyqësorit në veri, nuk është se nuk përballet me sfida, për shkak të një numri të madh të lendeve të grumbulluara. Në veri sfidë mbetet, aftësia e kufizuar e gjyqtarëve dhe stafit administrativ i gjykatave për të komunikuar me një gjuhë të kuptueshme”
Ai ka thënë se besueshmëria në gjyqësorin nuk është e kënaqshme por beson se me punën që janë duke bërë do të rritet llogaridhënia, besueshmëria, transparenca dhe efikasiteti në gjyqësor.
Enver Peci, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, tha se gjyqësori e ka dhënë kontributin e vet në zgjidhjen e lëndëve që kishin të bëjnë me liberalizimin e vizave duke i vendosur këto lëndë si prioritet.
“Viti 2018 ka qenë një vit kur sytë e qytetarëve u drejtuan kah gjyqësori, me shpresën se ne do ta përcaktojmë të ardhmen lidhur me liberalizimin e vizave. Në këtë kuptim, krerët e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial u mobilizuan dhe u vendos që rastet e shenjëstruara për liberalizim vizash të trajtohen me prioritet. Kjo edhe ka ndodhur. Gjyqësori e ka dhënë kontributin e tij në vendosjen e këtyre lëndëve me prioritet. Por, pavarësisht qëllimeve shtetërore, gjyqësori si pushtet, qëllim kryesor e ka vendosjen me drejtësi për secilin. Duke vendosur drejtë, qytetarëve të këtij vendi do t’ju kthehet shpresa dhe besimi në drejtësi”, ka thënë Peci , raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfida prioritare vetëm për të siguruar liberalizimin e vizave, por para së gjithash, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve kosovarë, pa dallim etnie, feje a gjinie.
Ai ka thënë se administrata e sistemit gjyqësor po vazhdon të jetë e diskriminuar në shumë aspekte.
“ Për fund, por, si çështjen më të rëndësishme, më lejoni të ndajë shqetësimin tim me administratën e sistemit gjyqësor, të cilët, në mungesë të hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, vazhdojnë të jenë të diskriminuar në shumë aspekte. Në mungesë të këtij ligji, për pozitat dhe punën e njëjtë, ka zyrtarë që paguhen ndryshe. Ndërkohë që si gjyqësor, në gjysmë të këtij viti, u përballëm me grevën e administratës. Ndaj, si njerëz në radhë të parë dhe si udhëheqës të këtij sistemi në radhë të dytë, na takon që të mbështesim stafin tonë, dhe të krijojmë alternativa për t’i motivuar deri në realizim të të drejtave të tyre si shërbyes civil”, tha ai.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se sistemit të drejtësisë me anë të ligjeve që janë miratuar iu është dhënë fuqizim i madh për të qenë sa më efikas.
“Ndryshimi ka ndodhur në shumë drejtime. Patëm rritje të buxhetit. Falë punës tuaj u përmbushën edhe kriteret për liberalizimin e vizave. Patëm rritje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, Ndërtuam një klimë të re. Përveç këtyre masave ka pasur edhe momente tjera të rëndësishme, kemi filluar reformën në sistemin gjyqësor. Ka qenë edhe agjenda drejtësisë 20-20, kemi hartuar një listë të masave konkrete”, tha Tahiri.
“Duhet të japim më shumë nga vetja që me kompetencë dhe profesionalizëm që të arrijmë suksese. Dua të besoj se vitin e ardhëm do të flasim për rezultate tjera në vendin tonë. Duhet të punojmë për një gjyqësor të pavarur pa ndërhyrje politike.”
Blerim Isufaj, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se po bëhen përpjekje për rritjen e numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të zgjidhen lëndët e grumbulluara.
Sistemi i Drejtësisë ka kaluar në periudha të ndryshme reformash. Janë bërë përparime të ndryshme. Ne duhet të punojmë më tepër dhe qytetarëve pa dallim tu ofrojmë drejtësi. Ne po bëjmë përpjekje serioze për shtimin e numrin të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dua të theksoj nevojën për mbështetje nga të gjithë partnerët ndërkombëtar.