Veriu i nxehtë i Kosovës – zhvillimi që bllokoi zhvillimet në vitin 2022

Prishtinë | 31 Dhj 2022 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Me barrikada të serbëve – që tashmë i njeh historia si “Revolucioni i Trungjeve” – ka nisur një luftë në Kroaci dhe dy vjet më vonë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Njësoj u veprua nga serbët në veri të Kosovës 30 vjet më vonë, porse tash Perëndimi i cilësoi si “barrikada paqësore”.

Viti i barrikadave në Veri

Gjithçka filloi me 29 qershor kur Qeveria e Kosovës zotohej të zbatonte reciprocitetin për letërnjoftimet me Serbinë dhe ndalimin e qarkullimit për serbët me targave ilegale.

Në ditën kur filloi implementimi i këtyre dy vendimeve, më 31 korrik, ngjau ajo që paralajmërohej prej kohësh.

Me automjete të rënda, ekskavatorë, automjete private, serbët bllokuan rrugët që të shpien drejtë dy pikë-kalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Në nëntë lokacione të ndryshme rrugët u barrikaduan nga strukturat paralele serbe duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Sidoqoftë, ato u larguan në më pak se 20 orë pas kërkesës eksplicite të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe dy zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.

Kosova pranoi ta shtyjë afatin për zëvendësimin e targave dhe mos-lëshimin e fletës së lëshuar së bardhë për shtetasit serbë së paku për një muaj.

Ky dokument më nuk lëshohet nga asnjëra palë, derisa targat ilegale vazhdojnë të qarkullojnë nëpër Kosovë, por me ngjitës.

Më tej, atmosfera e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë filloi të vijëzohej pak e nga pak, duke u orientuar në çdo etapë të saj drejt një vetëmbërritjeje të ndryshme.

Kosovës prapë do t’i kërkohej shtyrje me shpresën se një zgjidhje do të gjendej me dialog.

Përpjekje u bënë.

Kërkesat ndërkombëtare ishin që të mos humbet fokusi në çështje teknike siç janë targat, por te kalohet në biseda më përmbajtësore për zgjidhje finale.

“Kam parë të nisin luftërat për gjithçka, por për çështje targash kurrë”, do thoshte Christopher Hill, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi.

Kosova, si një zgjidhje të mesme, doli me një vendim për sekuencim të atij paraprak.

Implementimin do ta bënte në faza.

E para ishte qortim me një dokument, e dyta gjoba, e cila pritej të fillonte nga 21 nëntori dhe më pas do fillohej me targa provuese, derisa në prill të vitit të ardhshëm sekuestrim për të gjithë ata që nuk pranojnë të lëvizin nga targat ilegale që prodhohen në Serbi, por kanë inicialët e qyteteve të Kosovës.

Shkallëzimi nuk kënaqi ndërkombëtarët.

Ned Price, zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit do dilte me deklaratë duke thënë se “kërkuam shtyrje të plotë, agjë më pak”.

Më vonë do përcillej edhe nga vetë Antony Blinken i cili konfirmoi se kryeministrit Kurti ia kishin kërkuar në disa raste shtyrjen.

Derisa për tri javë vazhdonte masa e qortimit, ajo s’paraqiste problem, por nga Lista Serbe ishin zotuar se me gjobën e parë që do jepej ata do ndërmerrnin veprime radikale.

Kur koha erdhi dhe në Bruksel edhe pas një takimi shumëorësh nuk u prodhua zgjidhje e as pajtim dhe supozohej se Kosova do vazhdonte me gjobat, serbët lokalë vendosën të braktisnin krejtësisht institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, atë politik dhe administrativ dhe kështu do krijohej një vakum institucional në veri.

Më vonë, qeveria do tërhiqej dhe do e shtynte vendimin dhe s’do lëshonte gjoba, por gjendja s’ktheje dot prapa, meqë serbët kishin djegur mandatet.

Lista Serbe – forca politike e serbëve të Kosovës – më 5 nëntor vendosi të tërhiqej nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje dhanë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat.

Në Veri të Kosovës tashmë kishte një vakum të sigurisë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës rezultojë me një pasojë – Serbia fitoi atë që synonte përherë, krijimin e një klime të pasigurisë në Veri, rrjedhimisht në Kosovë.

Një shtysë të fortë kësaj klime dha edhe shpallja zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës nga ana e Presidentes, Vjosa Osmani, e cila u zmbraps më pastaj.

Në kohën kur shumica opinionit publik kosovar argumentonte se në këtë situatë të brishtë të sigurisë dhe në mungesë të rendit dhe ligjit në katër komunat veriore të Kosovës, nuk do të mund të organizohej as një ndeshje futbolli, e lëre më zgjedhjet, Komisioni Qendror Zgjedhor vazhdonte përgatitjet e procesit.

Pozicioni i pushtetit në këtë rast ishte se djegia e mandateve nga serbët e Kosovës kishte krijuar obligime ligjore e Kushtetuese për shtetin prandaj duhej të procedohej.

Të ngjashme