Veriu ndërpret bashkëpunimin me KFOR-in

Prishtinë | 04 Dhj 2016 | 08:10 | Nga

Kryetarët e komunave veriore të Kosovës kanë marrë vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me KFOR-in pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe të ministrave Haki Demolli e Skender Hyseni, të cilët kanë marrë pjesë në hapjen e urës në Bistricë, për rinovimn e së cilës KFOR-i ka investuar 400 mijë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Serbët janë revoltuar në komandantin e KFOR-it, Giovanni Fungo, për shkak se siç thuhet në një komunikatë për medie, pavarësisht vullnetit të serbëve dhe pa paralajmërim ka shoqëruar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, duke përfshirë edhe ministrin e FSK-së, Haki Demolli, në veri të Kosovës.

Kryetarët e komunave veriore të Kosovës kanë thënë se përkundër bllokimit të rrugës nga serbët në Rudare të Zveçanit, Mustafa dhe Fungo kanë shkuar në Bistricë nëpërmes rrugëve alternative për të marrë pjesë në hapjen e urës, aktin e së cilës serbët e cilësojnë të politizuar.

“Vizita e Mustafës në veri ka ndodhur pa dëshirën e qytetarëve serbë. Popullit serb në veri nuk mund t’i imponohet realiteti politik nëpërmes armëve. Kjo ka qenë një manovër politike e ushtarake e KFOR-it, qëllimi i të cilët është rrënimi i procesit të normalizimit dhe mbjellja e frikës në mesin e serbëve në veri të Ibrit. Me këtë akt KFOR-i ka kaluar vijën e hollë që ndan paqeruajtësit nga okupatorët” , thuhet mes tjerash në komunikatën e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, Goran Rakiq (Mitrovicë e Veriut), Stevan Vulloviq (Zubin Potok), Dragan Jabllanoviq (Leposaviq) dhe Vuçina Jankoviq (Zveçan), pas takimit që kanë mbajtur në Komunën Veriore të Mitrovicës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme