Vërshimet bllokuan rrugët, çifti i ri shkon në dasmë hipur në tenxhere

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Një çift indian ka shkuar në vendin ku do të mbahej dasma e tyre përmes një mjeti krejtësisht të pazakontë të udhëtimit – me tenxhere. Këtë e bënë për shkak të vërshimeve që e kanë përfshirë vendin e tyre.

Në rrjete sociale u publikuan pamjet ku burri dhe gruaja shihen duke lundruar me një enë gjigante të bërë nga alumini. Ata ndihmoheshin nga dy burra, që e tërhiqnin enën, ndërsa fotografi i çiftit ecte pak para tyre.

Në pamjet që janë publikuar më vonë, u pa se dhëndri dhe nusja e re kishin mbërritur të sigurt në destinacion – në tempullin e vërshuar pjesërisht në Thalavady, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Do të duhej të kishim rezervuar një barkë në vend të veturës”, dëgjohet duke thënë një burrë në prapaskenën e njërës prej videove të publikuara.

Reshjet e dendura gjatë katër ditëve në fundit kanë shkaktuar vërshime dhe rrëshqitje vdekjeprurëse të dheut. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati i tyre, ndërsa shumë ura e rrugë janë shkatërruar nga uji.

Të ngjashme