Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se është duke u punuar që të gjitha rrugët të jenë të qarkullueshme për automjete, pas vërshimeve që i kanë prekur disa zona të Kosovës të enjten, si pasojë e reshjeve të shiut.
Durmishi ka kërkuar në Facebook nga qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes me lëvizjet dhe të shmangin kalimet në rrugët me prezencë të ujit.
“Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët Nacionale dhe Regjionale, si dhe Autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga MMPHI-ja, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, ka shkruar Durmishi.
“Meqenëse, Instituti Hdirometerologjik i Kosovës, ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”, ka shkruar ai.