Vërshimet e lumit Mat kanë shkaktuar probleme edhe në autostradën Milot-Kukës-Morin.
Reshjet intensive të ditëve të fundit që kanë përfshirë Shqipërinë, sidomos në veri e verilindje të saj, kanë shkaktuar fryrjen e lumenjve.
Rrjedha e fortë e lumit Mat ka krijuar gërryerje në afërsi të Skurajve në Milot, vetëm pak metra larg vendit ku pati probleme edhe gjatë muajit janar të këtij vitit, ku gërryerjet i janë afruar trasesë së rrugës, duke rrezikuar seriozisht dëmtimin e saj, shkruan Koha Ditore.
Niveli i ujërave në lumin Mat është shtuar edhe për shkak të rritjes së prurjeve nga shkarkimet e hidrocentralit të Ulëzës dhe Shkopetit.
Gërryerjet kanë ndodhur vetëm 18 muaj pas realizimit të një investimi prej miliona lekësh për ngritjen e një argjinature dhe prite, në mënyrë që ujërat të mos i afrohen trasesë së rrugës.
Megjithëse projekti i autostradës Milot-Kukës-Morinë ka kushtuar rreth 1 miliard euro, shirat e dy vjetëve të fundit kanë provuar se prognoza do të jetë e zymtë, ku janë regjistruar një numër i madh shembjesh edhe në segmentin Kukës-Fushë-Dukagjin, por edhe Thirrë-Reps.
Për Ministrinë e Transporteve e të Infrastrukturës në Shqipëri, Rruga e Kombit ka nevojë për 100 milionë euro të tjera investime, për pasojë mirëmbajtja është e papërballueshme, prandaj ajo do të jepet me koncesion.