Policia e Kosovës ka dalë me versionin zyrtar për grabitjen e një kamioni të zjarrfikësve në Drenas.
Raportohet se njësiti i zjarrfikësve derisa ishte duke intervenuar në një rast të zjarrit, në rrugë një i dyshuari mashkull K-Shqiptar nën kërcënimin e armës i ka detyruar të ndalen dhe më pas ua ka marrë kamionin e zjarrfikësve, ku me vete kishte edhe një fëmijë të moshës 5 vjeçare.
Njësiti policor ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç’rast i dyshuari qëllimisht me kamion e ka goditur veturën e Policisë. Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe gjatë arrestimit lëndime trupore ka pësuar edhe një zyrtar policor, i cili ka asistuar në rast si dhe një zjarrfikës.
Gjatë kontrollit në kamion është gjetur dhe konfiskuar një armë e cila dyshohet se është lodër nga plastika. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari dërgohet në spitalin e Neuropsikiatrisë në Prishtinë dhe është nën përkujdesje të Policisë.