Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe avokatëve mbrojtës në rastin e të miturve G.H., R.G. dhe L.Ll, të përfshirë në vrasjen e Aulon Zekës.
Sipas këtij aktgjykimi, të miturit G.H. për vrasje të rëndë dhe posedim të paautorizuar të armëve, është dënuar më nëntë vjet e gjashtë muaj burgim.
Nëna e Aulon Zekës flet pas vendimit të Gjykatës për dënimin e tre të miturve
E mitura R.G. për shkak të veprës penale “Dhënie e ndihmës së kryesit, pas kryerjes së veprës penale”, gjykata i ka shqiptuar masën edukuese – dërgim në institucionin edukativo- korrektues, në kohëzgjatje prej tre vjetëve.
Ndërsa të miturit L.Ll. për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve” nga neni 386 i po këtij kodi, i është shqiptuar masa edukuese e mbikëqyrjes së shtuar të organit të kujdestarisë, në kohëzgjatje prej një viti e gjashtë muaj,
Kolegji për të mitur i Gjykatës se Apelit, pasi vlerësoi pretendimet në ankesat e ushtruar gjeti se aktgjykimi në fjalë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe nuk është shkelur ligji penal në dëm të te miturve.
Kolegji po ashtu i refuzon si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës sa i përket vendimit mbi shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur dhe masave edukative, pasi që gjykata e shkallës së parë drejtë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat.
Tre të miturit në shtator të vitit të kaluar e kishin vrarë 16-vjeçarin Aulon Zeka.