Kuvendi i ri Komunal i Mitrovicës ka mbajtur mbledhjen e parë të rregullt, me ç’rast ka zgjedhur kryesuesen.
Seanca u drejtua nga anëtari më i moshuar i Kuvendit të Komunës, Fadil Veseli, dhe në prani të kryetarit të komunës, Bedri Hamza, dhe nënkryetarit Arian Tahiri.
Pas formimit të komisionit prej tre anëtarësh për zgjedhje të kryesuesit, me vota të fshehta, kryesuese u zgjodh Vesa Broja, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi 21 vota nga të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës sa ishin të pranishëm në këtë seancë.
Pas kësaj me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar kryesuesja e kuvendit, Vesa Broja, e cila ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë anëtaret e këtij kuvendi, dhe është e përkushtuar për të punuar për çështje që kanë të bëjnë për qytetarët dhe të mirën e komunës.
Ndërsa pika e dytë e rendit të ditës e paraparë për këtë seancë; Propozim-vendimi për formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa është shtyrë për mbledhjen e radhës të kuvendit.