Institucionet lokale dhe ato qendrore kanë treguar joseriozitet të thellë në raport me ndotjen e ajrit në Prishtinë, thotë Zeqir Veselaj, ligjërues i lëndëve ambientaliste në Universitetin e Prishtinës.
Me gjithë raportimet për nivelin e lartë të ndotjes, e tëra që, sipas tij, është dëgjuar deri më tani nga institucionet ka qenë se “po e monitorojnë gjendjen”, shkruan sot “Koha Ditore”. Për masat e para që morën këto ditë institucionet si mbrojtje nga ndotja, Veselaj thotë se, janë të vonuara, sepse, siç thotë ai, këto plane e vendime është dashur të merreshin shumë më herët ashtu që edhe Komuna po edhe qytetarët të ishin të përgatitur.
“Pa paragjykuar në suksesin e ndalimit të veturave në qytet e përshëndes si veprim, sepse do t’i ndihmojë situatës në krizë. Ndërsa vendimin për qymyrin definitivisht e konsideroj të vonuar, sepse tash jemi duke dalë nga dimri dhe ata që e përdorin qymyrin e kanë tashmë në depot e tyre”, thotë Veselaj.
Ai thotë se shkaktarët standardë të ndotjes janë tymtarët e KEK-ut, derivatet e cilësisë së fundit që vijnë në Kosovë, makinat e vjetra që djegin këto derivate në rrugët e ngushta dhe të dëmtuara, urbanizmi kaotik, mbeturinat dhe djegia e shpeshtë e tyre në të hapur, mungesa enorme e gjelbërimit, rrugët e palara e plot me pluhur.