Sektori i ngrohjes nëpër familjet kosovare ka bërë që të ketë ndotje të ajrit, ndonëse ky vit konsiderohet më pak i ndotur si shkak i “dimrit më të butë”. Kështu ka thënë për Ekonomia Online profesori dhe eksperti i çështjeve ekologjike, Zeqir Veselaj.
Ndërsa subvencionimin e Qeverisë me pompa termike e klima, nuk i konsideron si zgjidhje afatgjate në aspektin mjedisor.
Veselaj deklaroi se sezona e dimrit zakonisht përcillet me një gjendje të rënduar të ajrit, jo vetëm në Prishtinë por edhe në qytetet tjera.
“Dimri është sezona e kur zakonisht në Prishtinë por edhe qendrat tjera rëndohet gjendja ambientale sepse ka ndryshim të faktorëve klimatik”, deklaroi ai.
Veselaj shtoi se deri më tani parametrat e ndotjes ishin më të ulëta si shkak i motit jo të ftohtë.
“Brenda ditës janë faza të caktuara si mëngjesi e mbrëmja kur parametrat e ndotjes me thërrmija të imta ngjiten lartë megjithatë sivjet kam përshtypjen se nga ajo që po e vërejmë nuk është si vitet tjera ndoshta se dimri ende nuk i ka treguar “dhëmbët” e tij, kemi pasur një dimër të butë qe s’ka kërkuar shumë ngrohje e djegie të lëndëve te fosileve, kjo ndotje është normale nëse mund ta quajmë është normale në shkallën e rritjes por jo për shëndetin dhe mjedisin tonë”, u shpreh ai.
Veselaj i pyetur se sa do ndikojnë në përmirësimin e ambientit subvencionet e dhëna nga Qeveria, si klima dhe pompat termike, u shpreh se ato janë ndihma me zgjidhje afatshkurtër pasi të njëjtat po ashtu kanë bazë fosile.
“Këto subvencionet qe po i jep Qeveria lidhur me klimat, pompat termike dhe të tjerat në aspektin ekonomik janë zgjidhje afatshkurtër për ekonominë familjare por në aspektin mjedisor nuk është se bëjnë në zgjidhje reale sepse në fund fundit edhe ato klima të gjitha e shfrytëzojnë energjinë elektrike e cila e ka bazën fosile, pra atë që prodhohet nga qymyri në termocentralet e KEK-ut nuk është zgjidhje afatgjate në aspektin mjedisor por në atë ekonomik social e ekonomik”, deklaroi ai.
Ai shprehu nevojën e intervenimit të qeverisë lokale dhe asaj qendrore në përmirësimin e gjendjes aktuale të ajrit.
“Secili qytetarë e di se çfarë ajri po e thithim, e dimë se kur është i tejkaluar në parametrat ndotëse, duhet intervenimi i qeverisë që situata të përmirësohet. Qeveria qendrore në aspektin e përgjegjësisë ligjorë dhe Kushtetuese duhet të merret me ndotësit e mëdhenjtë KEK-un, Ferronikelin, etj. Ndërsa ato lokale do të ishte e udhës që të merret me rregullim transporti sepse menjëherë pas sektorit energjetik, transporti është faktori i dytë që i kontribuon ndotjes, por edhe qytetarët i kanë përgjegjësitë e veta që mund të ndihmojnë në këto probleme qoftë nga kursimi i energjisë elektrike, sepse përveç se kursejnë xhepin e tyre, kursehet edhe mjedisi sepse 93 për qind e resurseve tona vine nga qymyri”, u shpreh Veselaj.