Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e 18-vjetorit të masakrës ndaj Familjes Deliu, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në varrezat e kësaj familjeje, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Abri të epërme të Drenasit.
Në këtë përvjetor të dhimbjes, kryetari Veseli, vizitoi po ashtu, familjet Xhemajli dhe Deliu në këtë fshat.
Kryetari Veseli, shprehu respektin dhe dhimbjen për familjen Deliu, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e masakrave të kryera nga ushtria e policia e regjimit serb, jo vetëm në Abri, por në tërë Kosovën, që me jetën e tyre dëshmuan përkushtimin për çlirim nga regjimi serb.
Ai me këtë rast theksoi se në këto masakra, nga këto njësite militare e paramilitare serbe, nuk u kursyen as foshnjat në djep dhe as pleqtë, që sot, si dëshmi mbeten kujtesë për neve, për peshën e lirisë së vendit për të cilin kemi obligim të punojmë çdo ditë.
“Kjo është historia jonë. Si e tillë, ajo është kujtesë e cila nuk duhet të harrohet. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë sakrificë dhe gjak të derdhur, që nga foshnjat 3-muajshe deri te pleqtë 90-vjeçar. Nuk do të lejojmë asnjëherë që në këtë tokë të përsëriten gjëra të tilla. Kjo është një arsye më shumë pse duhet të jemi të bashkuar dhe ta forcojmë shtetin tonë”, theksoi kryetari Veseli.
Kryetari Veseli, theksoi po ashtu se zhvillimi i vendit, sundimi i ligjit, partneriteti me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian, janë rruga dhe e ardhmja e vendit tonë.
Ai më tej vuri në dukje se krimet e kryera si ky ndaj Familjes Deliu, por edhe autorët e masakrave tjera në Kosovë ndaj qytetarëve të pafajshëm, ende nuk e kanë marrë dënimin nga organet e drejtësisë.
Kryetari Veseli theksoi se ekziston përkushtimi i institucioneve që përgjegjësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar. Ai tha se lirinë nuk do t’ia falim askujt.
“Shtetin tonë do ta mbrojmë me fanatizëm dhe nuk do të lejojmë askënd ta cenojë atë. Do ta forcojmë si shtet ligjor dhe demokratik, me perspektivë për gjeneratat e reja”, theksoi kryeparlamentari Veseli.