Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka pritur në takim delegatët që nënshkruan deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, në përvjetorin 28 të kësaj ngjarje.
Veseli uroi delegatët për këtë ditë të rëndësishme, ndërsa çmoi lart kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira.
“Akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Udhëheqësi i delegacionit të delegatëve, Iljaz Ramajli, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për pritjen tashmë tradicionale për ish-ligjvënësit e Kosovës, duke dhënë kështu mesazhin e përkujdesjes dhe vlerësimit të kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përderisa pasdite grupi i delegatëve do të takohet edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.
28 vjet më parë 111 delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut, raporton Ekonomia Online.
Më këtë u shënua hapi historik institucional në pavarësimin e Kosovës.