Veseli: E pakuptimtë mos-heqja e vizave për Kosovën

Prishtinë | 21 Tet 2016 | 10:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mori pjesë në konferencën komemorative, në përkujtim të 60-vjetorit të Luftës për Liri dhe Revolucionit Hungarez, e cila u mbajt sot në Prishtinë, nën organizimin e Ambasadës së Hungarisë në vendin tonë.

Duke folur për rëndësinë dhe efektet politike të kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë së popullit mik hungarez dhe të Evropës të pas Luftës së Dytë Botërore në përgjithësi, kryeparlamentari Veseli elaboroi kontekstin politik të kësaj periudhe, kur njerëzimi ishte e mbërthyer nga konflikti radikal midis dy sistemeve ideologjike, politike dhe ekonomike: botës së lirë, të demokracive liberale, ekonomisë së tregut të lirë, të lirive dhe të drejtave të njeriut, në njërën anë, dhe botës komuniste, ku liritë dhe të drejtat e njeriut shkeleshin në mënyrën më brutale të mundshme, në anën tjetër.

Kreu i Kuvendit tha se këto vite ishin të rënda për popujt e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, të cilët u përfshin në kampin e diktaturave komuniste.

“Një popull, që përgjatë gjithë historisë, i kishte dhënë aq shumë lirisë në Evropë, befas u ndje i mbërthyer nga një tirani e re, tirania komuniste. Njerëzit shtypeshin në emër të lirisë, emancipimit dhe barazisë. Populli hungarez ishte ndër të parët që e kuptoi mashtrimin komunist dhe vendosi të ngrihej, të protestonte, të kundërshtonte, të kërkonte rikthimin e lirisë së tij. Të rinj, studentë, punëtorë, fermerë, intelektualë, artistë, mposhtën frikën dhe i thanë jo tiranisë së kuqe.”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kryengritja u shtyp fizikisht, shtoi kryetari Veseli, por zëri i saj për liri pushtoi mendjet dhe zemrat e gjithë njerëzve nga të katër anët e botës. Sakrifica e qytetarëve hungarezë, tha në vazhdim Veseli, u bë shembull frymëzues për të gjithë rezistencën antikomuniste në Evropë e më gjerë.

“Pa rënien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë në Evropë, nuk do të ishte e mundur as liria e vendit tim, Kosovës. Njësoj si hungarezët edhe qytetarët e Kosovës kanë paguar një çmim të madh për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Por, ne sot, ndihemi krenarë se sakrificat tona, i kanë bërë më të qëndrueshme vlerat evropiane, liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sovranitetin e popujve, paqen dhe bashkëpunimin mes shteteve”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se shteti i Kosovës ka lindur nga këto vlera dhe do të vazhdojë të jetojë përmes tyre.

Kryetari i Kuvendit falënderoi Republikën e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme që jep në procesin e integrimeve euro-atlantike të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar atë një nga vendet mike në mesin e miqve të shumtë që ka Kosova. Në frymën e këtij bashkëpunimi, kryetari Veseli paralajmëroi se në fillim të nëntorit do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Budapest.

kryetari-veseli-mori-pjese-ne-konferencen-ne-perkujtim-te-luftes-per-liri-dhe-revolucionit-hungarez-2

kryetari-veseli-mori-pjese-ne-konferencen-ne-perkujtim-te-luftes-per-liri-dhe-revolucionit-hungarez-3

Të ngjashme