Kryeparlamentari Kadri Veseli ka qortuar qasjen individuale dhe ka kërkuar bashkërendim e vendime institucionale për Kosovën, gjatë fjalës së tij që ka mbajtur sot në takimin e ftuar me liderët institucionalë dhe Delegacionin Shtetëror.
Sipas Koha.net, thonë se Veseli ka qenë i ashpër në adresimin e tij, që duket se lidhet me debatet e kohëve të fundit mes Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj për taksën dhe procesin e Dialogut.
Veseli, siç pohohet, ka kërkuar qartazi që t’i jepet fund protagonizmit të njëanshëm, duke theksuar më tutje se bashkëpunimi është i domosdoshëm në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon vendi.
Mëngjesin e sotëm, në Kuvendin e Kosovës janë takuar Presidenti Thaçi, Kryeparlamentari Veseli, Kryeministri Haradinaj, bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për Dialog Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, si dhe Zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli dhe Dardan Gashi.
Në takim është diskutuar për Platformën për Dialogun, e cila të premten pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.