Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka dënuar sulmin e Iranit ndaj bazave amerikane në Irak ku punojnë edhe shumë qutetarë të Kosovës.
Lideri i PDK-së ka kërkuar vëmendjen e plotë të Institucioneve të Kosovës për qytetarët që ndodhen në kampet amerikane në Irak.
Veseli ka thënë se Kosova, si gjithmonë, qëndron përkrah SHBA-ve, në luftën e saj kundër terrorizmit si dhe në misionin human për një botë të lirë, demokratike e paqësore
“Dënoj sulmin e Iranit me raketa balistike ndaj bazave që strehojnë trupat amerikane në Irak duke e konsideruar një akt të rëndë agresioni ndaj SHBA-ve, Irakut dhe paqes e stabilitetit ndërkombëtar. Shumë qytetarë tanë janë duke punuar në këto bazat të aleatit tonë dhe prandaj ne ndihemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë e tyre. Institucionet e Shtetit duhet të kenë vëmendjen e plotë në situatën në të cilën ndodhen ata. Kosova, si gjithmonë, qëndron përkrah SHBA-ve, në luftën e saj kundër terrorizmit si dhe në misionin human për një botë të lirë, demokratike e paqësore”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.