Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në një takim presidentin e Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOC), Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah.
Në takim u diskutua për arritjet ndërkombëtare që sporti i Kosovës ka shënuar viteve të fundit, si dhe pranimin e shumë federatave vendore sportive nëpër federata të sportit ndërkombëtar.
Kreu i Kuvendit, Veseli, falënderoi presidentin Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në Asociacionin e Komiteteve Olimpike Kombëtare, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në afirmimin e sportit të Kosovës.
Kryeparlamentari theksoi se Kosova ka shumë të rinj të talentuar në sporte të ndryshme, e të cilët çdo ditë e më shumë po tregojnë rezultate kulminante.
Veseli tha se sporti në Kosovë ka ende sfida, në veçanti në infrastrukturë. Megjithatë, ai theksoi përkushtimin e institucioneve për investime në këtë fushë, ndërtime e renovime të stadiumeve e palestrave sportive, si dhe kanë filluar procedurat edhe për ndërtimin e Stadiumit Nacional.
“Ne si Kuvend do ta mbështesim KOK-un dhe sportin e Kosovës. Me buxhetin për vitin 2018 ka rritje të investimeve. Me infrastrukturë ligjore kemi punuar mjaft, ne veçanti e theksoj Ligjin për Sponsorizime”, theksoi kryeparlementari Veseli. Ai shprehu besimin se mbështetja e Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare për sportin e Kosovës do të vazhdojë, pasi që, siç tha ai, Kosova ka talent të shumtë në sporte, të cilët mund t’i japin shumë sportit ndërkombëtar.
Presidentin e Asociacionit Ndërkombëtar të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah, shprehu kënaqësinë e tij për arritjet e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes edhe në të ardhmen.
Fillimisht ai është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj kurse gjatë ditës Al-Sabah do të vizitojë edhe kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Më pas do të takohet edhe me ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe do të vizitojë edhe Pallatin e Rinisë.