Veseli: Kosova nuk do të jetë vend i krizave dhe ekstremizmit radikal

Prishtinë | 22 Tet 2016 | 10:27 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë fuqishëm në aspiratën për anëtarësim në BE.

Në fjalën e tij në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, kryekuvendari Veseli ka thënë se Kosova është pjesë e Europës.

Ai gjatë fjalimit të tij, është shprehur se dialogu dhe bashkëpunimi fqinjësor janë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon, raporton lajmi.net.

“Sot siguria rajonale kërcënohet nga zhvillimet globale sikur janë ato të terrorizmit. Ne jemi përkrahë vendeve që luftojnë terrorizmin”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë për luftimin e terrorizmit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon, duke thënë formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetë një shtytje pozitive për këtë drejtim.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për partneritet të fuqishëm dhe perspektivë të qartë.

“Shpresoj që do të kemi mirëkuptimin e të gjitha vendeve qe nuk e kanë njohur Kosovën, ne emër të stabilitetit të rajonit”.

Veseli tha se Kosova do të luajë rolin e saj në këtë plan, sepse i ka kapacitetet e veta.

“Në aspektin e sfidave të sigurisë janë të përbashkëta ato që i kemi të gjithë rajonin”, tha Veseli.

Ai deklaroi se Kosova asnjëherë nuk do të jetë vend i krizave dhe ekstremizmit radikal.

“Ne jemi vend që i kemi neutralizuar këto gjera, kemi nxjerr ligje edhe për parandalimin e atyre që mund të marrin pjesë në vendet e huaja”, tha ai.

Kryekuvendari Veseli deklaroi se jemi vendi i vetëm ne rajon që kemi nxjerrë ligj për mbikëqyrjen e financave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme