Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ka thënë se çdo gjë e mirë që ka ndodhur në vend ka filluar me rininë, duke filluar nga demonstratat e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së.
Duke iu drejtuar Kuvendit Zgjedhor të degës së PDK-së në Prishtinë, Veseli tha se marrja e përgjegjësive politike nga rinia është garanci e transformimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës. Sipas tij, kur forcohet PDK-ja, forcohet edhe Kosova.
“Çdo gjë e mirë që i ka ndodhur vendit tonë ka filluar me rini, qoftë nga barra e madhe në UÇK, demonstratat e lufta e lavdishme e UÇK-së. Kur e kemi filluar këtë proces zgjedhor e kemi vendosur moton ‘Dekada e Re’. Do ta përfundojmë procesin që do të jetë demokratik dhe fer, që do të jetë shembull në Republikën tonë”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Veseli tha se marrja e përgjegjësive politike nga rinia është garanci e transformimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës. Edhe Prishtina, sipas tij, ka nevojë për një gjeneratë të re qeverisëse për ta zhvilluar dhe bërë ata vërtet kryeqytet.
“Po ndodh e jashtëzakonshmja, po shpërthen Dekada e Re. Kur lëviz dhe forcohet PDK-ja, lëviz dhe forcohet edhe Kosova. Ne kemi një vizion të qartë, një qëllim të qartë që buron nga sakrifica e gjeneratave, të jetojmë në një vend të qetë në zhvillim dhe të zhvilluar ekonomikisht, në një vend ku sundon ligji. Ne jemi evropianë dhe jemi të lindur perëndimorë dhe kjo është rruga jonë, anëtarësimi në BE dhe në NATO me ushtrinë tonë. Do të punojmë bashkërisht me modesti”.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se PDK-ja është partia e shpresës dhe e besimit.
“Në këtë sallë janë mendjet më të mira që ka Prishtina dhe përfaqësuesit më të mirë që ka vendi ynë. PDK-ja është parti e shpresës, është parti e besimit dhe e ndryshimit. Kur flasim për Dekadën e Re, ne mendojmë që Kosova ta ngrehë lart flamurin në OKB. Filozofia jonë është ndryshimi, mirëpo ne duhet ta ruajmë ADN-në e PDK-së”, tha ai.
Kryetari i Degës së PDK-së, Lirak Çelaj, tha se shembull për ndërtimin e vendit duhet të merren liderët e PDK-së.
“Ju duhet ta keni para vetes një inspirim dhe model se çfarë duhet të bëni për vendin dhe si model mund t’i merrni udhëheqësit e PDK-së, e një nga ta është edhe Kadri Veseli. Detyrë e juaja është ta vazhdoni këtë punë dhe kandidaturat e ardhshme t’i shihni si vlerë”, tha ai.