Shqipëria nuk e pranon kapitullimin pa kushte ndaj Spanjës dhe Italisë. Mbrojtësi Frederic Veseli, deklaron se kuqezinjtë nuk e mendojnë humbjen.
“Ne do të provojmë të fitojmë është e vështirë por ne do të japim maksimumin. Nuk shkojmë me idenë se do të humbasim. Të dy ndeshjet janë të bukura, nuk ka ndryshim nëse është Spanja apo Italia, duhet të bëjmë më të mirën tonë. Jam shumë optimist. Nuk dua të mendoj për humbjen. Më vjen inat kur thonë Spanja dhe Italia më të fortë se ne. Ditën e ndeshjes do të vërtetohet”, është shprehur Veseli, raporton Supersport.
Në duelin e parë në Loro Boriçi, kombëtarja shqiptare u mposht 2-0 nga Spanja, pa i krijuar asnjëherë vështirësi serioze iberikëve, por këtë herë mbrojtësi beson se skuadra do të paraqitet ndryshe.
“Kemi shanset tona. Kemi kualitet në skuadër. Ndaj Spanjës golat erdhën për shkak të disa gabimeve tona. Më shumë presion ka Spanja se sa ne. Sigurisht që do te jemi një skuadër ndryshe kemi një trajner të ri. Ai na kërkon disa gjëra ndryshe nga De Biasi”, ka thënë ai.
Veseli nuk është aktivizuar në dy sfidat e fundit ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, ndërsa mungesat e të pezulluarve Mavraj e Kukeli mund të jenë shansi i tij. 24-vjeçari nuk ngutet dhe ia lë zgjedhjen trajnerit.
Ai më tutje ka shtuar se, “trajneri vendos. Nuk do të thotë gjë se kush luan më shumë në Itali do të jetë në fushë ndaj Italisë. Unë jam gati për Kombëtaren, se kush luan është detyra e trajnerit, ai vendos. Nëse ka nevojë për mua në rregull, nëse jo, nuk ka problem pasi jam në dispozicion të skuadrës”.
Gjatë merkatos së verës Veseli zgjodhi të qëndronte tek Empoli edhe pse skuadra ra nga kategoria. Mbrojtësi zbulon arsyet e vendimit dhe objektivat sezonalë.
“Kam pasur oferta për t’u larguar nga Empoli. Presidenti bëri gjithçka që unë të qëndroja. Me plotësoi të gjitha kushtet. Objektivi ynë është të ngjitemi në Serinë A. Më punë dhe vullnet do ta arrijmë”, ka thënë ai.