Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë qëndruar në regjionin e Vërrinit, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas homazheve në Jeshkovë, Veseli dhe Totaj, kanë qëndruar në familjet e heronjve Xhevat Berisha dhe Agim Shala.
Regjioni i Vërrinit, gjatë Luftës Çlirimtare ishte zonë tejet e rëndësishme ushtarake dhe civile, banorët e së cilës dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetje të ushtarëve dhe udhëheqësve çlirimtarë.
Ja shkrimi i plotë i Kryetarit Veseli rreth kësaj vizite:
“Bashkë me kandidatin për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, sot qëndruam në regjionin e Vërrinit për nder të Epopesë së UÇK-së.
Pas homazheve në fshatin Jeshkovë, vizituam familjet e nderuara të heroit Xhevat Berisha dhe heroit Agim Shala.
Mirënjohës ndaj mikpritjes së gjithhershme të banorëve të kësaj ane të cilët edhe gjatë luftës, por edhe në liri dhanë e japin kontribut të vazhdueshëm për ndërtimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar kryetari Veseli në rrjetin social.