Me prezencë të qindra të rinjve, sot në Gjakovë u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Rinisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para të rinjve gjakovarë, foli për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi dhe rolin kulmor të rinisë në këto procese në Dekadën e Re.
Veseli tha se të rinjtë kanë qenë gjithë herë prijatarë të zhvillimeve pozitive dhe njëherësh i bëri thirrje rinisë gjakovare që të përfshihet fuqishëm në proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke u bërë kështu garancë e zhvillimit të vendit.
“Ju falënderoj dhe ju përgëzoj që keni zgjedhë një adresë politike e cila në retrospektivën e vet, në të tashmen dhe të ardhmen e saj, sinonim ka atdheun tonë, qytetarin dhe orientimin perëndimor. Kjo adresë është Partia Demokratike e Kosovës. Në Dekadën e Re rinia do të ketë rolin kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në rrugën euro-atlantike. Ne po punojmë pa ndërprerë që qytetarët tanë këtë vit të udhëtojnë pa viza por kjo nuk do të thotë që rinia jonë e talentuar dhe punëtore të largohen, por përkundrazi, të punojnë dhe zhvillojnë vendin me idetë e tyre inovatore”, theksoi kryetari Veseli.
Ai shtoi se Gjakova ka qenë dhe do të mbetet emblemë e intelektualizmit dhe e qytetarisë, si dhe një shtyllë e rëndësishme e transformimeve kombëtare.
Veseli tha se PDK-ja vazhdon të mbetet subjekti me hapësirën më të madhe për të rinjtë.
“Vizioni i PDK-së është një Kosovë e zhvilluar dhe askush nuk mund ta bëjë ketë më mire se rinia”, shtoi kryetari Veseli. Kreu i PDK-së tha se qëllimi i PDK-së është i pastër si kristali: Kosova e zhvilluar ekonomikisht dhe e integruar në Bashkimin Evropian.