Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar në Komunën e Malishevës kandidatin për kryetar komune, Mursel Gashin, si dhe kandidatët për Kuvendin Komunal, për ta diskutuar bashkërisht platformën qeverisëse për Malishevën në katër vjetët e ardhshëm.
Kreu i PDK-së tha se qytetarët e Malishevës do ta votojnë doktorin Mursel Gashi, sepse ai përfaqëson platformën më të mirë qeverisëse, e cila siguron zhvillim ekonomik, punësim dhe shumë investime kapitale në Komunën e Malishevës.
“Doktori Mursel Gashi do të marrë mbështetje të fuqishme nga të gjithë qytetarët e Malishevës për qeverisjen e re të PDK-së në katër vjetët e ardhshëm. PDK ka vizionin dhe platformën qeverisëse, ndërsa kandidatët për Kuvendin Komunal janë profesionistë të dëshmuar dhe me vlera. Duke e njohur qe disa dekada Malishevën dhe qytetarët e saj që kanë bërë shumë për lirinë e Kosovës, jam i bindur që më 22 tetor PDK do të dalë fituese”, ka thënë Veseli.
Kandidati për Kryetar të Komunës së Malishevës, Mursel Gashi, tha se gjatë diskutimeve me shumë qytetarë, duke shpalosur platformën qeverisëse, ka marrë mbështetje, e cila po zgjerohet në gjitha lokalitetet.
Ai tha se PDK në Malishevë ka vizionin më të mirë për zhvillimin e Komunës, si dhe ka ekipin më profesional për të udhëhequr Kuvendin Komunal.