Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë me gazetarë, ka bërë të ditur se partia që ai drejton do të mbajë Konventën e Përgjithshme më 25 mars 2017.
Ndërkohë, Veseli ka bërë të ditur se ka nisur një “turne dëgjimor”, sikur e ka quajtur ai, nëpër qytetet dhe vendbanime të tjera të vendit, për t’i dëgjuar dhe bashkëbiseduar me qytetarët.
“Në fund të muajit të ardhshëm, unë do të dalë para lidershipit të PDK-së dhe do të kërkoj mbështetjen e tyre për platformën time, planin tim,– për Kosovën. Kjo nuk është një detyrë e vogël dhe unë e marrë atë shumë seriozisht si kryetar i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit”, tha Veseli, në një deklaratë në selinë e partisë.
“Për një kohë shumë të gjatë, politikanët kanë dëgjuar njëri-tjetrin. Si kryetar i Kuvendit, unë e di se çfarë mendojnë pjesëtarët e tjerë të Kuvendit. E di se çfarë ata duan që qeveria të bëjë për ata. Por, nuk është fjala këtu për politikanët – fjala është për ju – qytetarët e Kosovës. Kjo është arsyeja pse ju mund të keni vënë re se unë kam bërë vizita gjithandej vendit javët e fundit – për t’i dëgjuar qytetarët”.
“Kam filluar një turne dëgjimore, sepse unë dua t’i dëgjoj qytetarët drejtpërdrejt – të dëgjoj drejtpërdrejt shqetësimet tuaja, të mësoj për jetën tuaj, dhe të kuptoj se si qeveria mund të punojë më mirë për ju. Vetëm duke dëgjuar, para se gjithash, njerëzit – të gjithë njerëzit në mbarë vendin – do të mund të krijojmë një platformë, të marrim masa veprimi, ta çojmë Kosovën përpara”.
“Prandaj, në fshatin Greme të Ferizajt u takova me pronarë të bizneseve të vogla të industrisë së drurit. Në Prishtinë takova të rinj që punojnë në teknologjinë e lartë. Në Mitrovicë kam takuar mjekë dhe sot në Prizren do të takohem me profesorë”.
“Unë do ta vazhdoj këtë turne në të gjithë vendin për t’i dëgjuar njerëzit. Pas një muaji, ne do të takohemi sërish në konventën e Partisë Demokratike të Kosovës. Atje do t’i prezantoj ato që kam mësuar nga qytetarët tanë dhe do të ndaj me partinë tonë platformën për ta çuar Kosovën përpara”, ka përfunduar lideri i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës.