Veseli: Si hebrenjtë, edhe ne ishim viktimë e një plani për shkatërrim kolektiv

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 18:52 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka marrë pjesë në përkujtimin e njërës prej ngjarjeve më të rënda në historinë njerëzore – holokaustin e hebrenjve, në një organizim të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Veseli, në fjalën e tij, ka paralajmëruar se Prishtinës do t’i kthehet sinagoga e cila është rrënuar vite më parë, ndërsa në Prizren do të ndërtohet Qendra Kulturore Hebreje.

Ai ka konfirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për promovimin e komunitetit hebre në Kosovë dhe përkrahjen për të.

Veseli ka thënë se ndonëse kanë kaluar shumë vjet nga Holokausti dhe dëshmitarët e gjallë janë përherë e më pak, tronditja njerëzore prej këtij krimi mizor vazhdon të jetë e madhe.

“Holokausti, përpjekja e organizuar dhe sistematike për zhdukjen e popullit hebre, është dëshmia ma tronditëse se sa të rrezikshme janë ideologjitë ekstremiste, lëvizjet politike që motivohen nga urrejtja grupore dhe organizatat që ushqejnë paragjykimet kolektive mes kombeve”, ka deklaruar Veseli.

Kryeparlamentari ka rikujtuar se shekulli i kaluar u mbyll me fitoren e demokracisë liberale mbi tiranitë e krijuara nga ideologjitë fashiste dhe komuniste, ndërsa gjithandej botës njerëzit përqafuan shpresën se barbaritë që sollën këto ideologji nuk do të përsëriten kurrë më. Por, ka shtuar ai, sot kjo shpresë fatkeqësisht është e lënduar.

“Sërish kemi para syve dhunë, urrejtje, gjakderdhje, humbje të jetëve të njerëzve të pafajshëm, shkatërrime qytetesh, kolona refugjatësh që braktisin vendet e tyre, fytyra të përlotura fëmijësh skaj rrugëve dhe poshtë gërmadhave. Dhe shkaku është prapë i njëjtë: luftërat e egra për sundim dhe ideologjitë ekstremiste”.

Kreu i Kuvendit, më tej, ka pohuar se qytetarët e Kosovës kanë një raport të veçantë me këto vlera.

“Njësoj si hebrenjtë, ne ishim viktimë e një plani për shkatërrim kolektiv. Ishin pikërisht këto vlera që mobilizuan botën demokratike në pranverën e vitit 1999 për të ndaluar gjenocidin në Kosovë”, ka thënë Veseli.

“Në këto ditë të përkujtimit të Holokaustit, së bashku me viktimat e tij, ne nderojmë edhe kujtimin e gjyshërve tanë, që mposhtën frikën dhe u bënë strehë mijëra hebrenjve të ikur nga persekutimi nazist”, ka shtuar ai.

Kryeparlamentari Veseli, po ashtu, ka përmendur një histori të shkurtër të takimit me një dëshmitare të gjallë, Ester Levi, një qytetare hebreje e lindur në Kosovë dhe e mbijetuar e Holokaustit.

“Një vit e gjysmë më parë, Zonjën Levi pata nderin ta pres në zyrën time. E përmalluar, ajo më tregoi për humanizmin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve nga terrori nazist. Erdha, më tha, që të çmallem me këtë tokë të bekuar dhe t’u tregoj pasardhësve të mi për shpirtin human dhe solidar të kësaj toke”, ka theksuar kryetari Veseli.

Image may contain: 3 people, people smiling

Image may contain: 12 people, suit, night and indoor

Image may contain: 1 person, night

Image may contain: one or more people, living room, screen and indoor

 

Të ngjashme