Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli në një tubim të mbajtur me veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë është shprehur se nuk do ta lejojnë askënd të abuzojë me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veseli shtoi se lavdia e luftës së UÇK-së do të mbetet e pacenueshme, dhe se njëherë e përgjithmonë do ia heqin turpin që padrejtësisht e ka njollosur për shkak të aventurave politike me veteranë të rremë.
“Në Drenicën heroike, me disa bashkëluftëtarë të mi, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, si subjekt politik i dalë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do ta përfundojë atë që tashmë unë e kam nisur, pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së.
Nuk e lejojmë askënd të abuzojë me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdia e luftës së trimave tanë do të mbetet e pacenueshme, sepse njëherë e përgjithmonë do ia heqim turpin që padrejtësisht e ka njollosur për shkak të aventurave politike me veteranë të rremë”.